Cilat masa të fshehta u përdorën për arrestimin e policit të dyshuar për sulm seksual?

Javën e kaluar arrestimi i një zyrtari policor, i cili dyshohej se kishte abuzuar seksualisht një të mitur në regjionin e Gjilanit, u bë temë diskutimi në shoqërinë kosovare.

Polici dyshohej se për disa kohë kishte kryer veprën penale të sulmit seksual ndaj të miturës ndërsa informacioni fillimisht ishte raportuar nga zyrtarët komunalë në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

Nuk vonoi shumë dhe menjëherë informacionet u bartën në institucionin i cili mbikëqyr Policinë e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, pasi dyshohej se në rast ishte i përfshirë një polic.

KALLXO.com ka ndjekur për disa ditë hetimet të cilat i ka ndërmarrë Inspektorati Policor i Kosovës pas marrjes së autorizimeve nga ana e Prokurorisë së Gjilanit.

Vëzhgimi, përgjimi i telefonit të policit ishin vetëm disa nga metodat të cilat do të përdoreshin gjatë hetimit nga ana e hetuesve të IPK-së për disa ditë me radhë në mënyrë që të vërtetohej se polici po kryente vepër penale.

Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa, gjatë kohës së vëzhgimit tregoi se sa të rëndësishme janë provat dhe materiale lidhur me rastin ku dyshohej se ishte përfshirë polici.

“Këto masa janë të rëndësishme sepse vepra penale për të cilën IPK ka hapur hetim penal është vepër bukur komplekse dhe kjo vepër penale duhet të argumentohet shumë mirë që të procedohet në prokurori me kallëzim penal në mënyrë që prokuroria të ketë prova materiale ta ngrit aktakuzën dhe rasti të procedohet në gjykatë dhe të vërtetohet edhe kryerja e veprës penale – sulm seksual”, tregoi Haxhimustafa duke shtuar se IPK ka kapacitete që hetime të tilla të kryejë në bashkëpunim me Divizionin për Mbështetje Teknike, i cili gjendet po ashtu në Inspektorat.

Tutje Haxhimustafa, i cili për disa muaj hetoi rastin e policit të përfshirë në aferën e sulmit seksual ndaj të miturës, tregoi edhe se si kishin ardhur deri te informacioni.

“Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan është duke hetuar veprën penale sulm seksual ku në këtë vepër penale dyshohet se është i përfshirë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Sonte jemi duke aplikuar masa të fshehta siç janë vëzhgimi dhe përgjimi i telekomunikimit. Jemi të ndarë në disa ekipe që do të bëjnë përcjelljen e të dyshuarit në regjionin e Gjilanit me qëllim të grumbullimit të provave materiale në drejtim të zbardhjes së veprës penale sulm seksual”, tregon tutje kreu i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK.

Pasi ishin informuar se çka po ndodhte e edhe se kush ishte i dyshuari, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte autorizuar IPK-në që të zhvillonin masat e fshehta për të zbardhur rastin.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” u transmetuan pamje ekskluzive të vëzhgimit të policit e madje edhe të arrestimit të tij.

Haxhimustafa shpjegoi detajisht se cilat ishin veprimet që ndërmorën para arrestimit dhe sa ishin të nevojshme ato në rast.

“Veprimet parapenale janë se informacioni i pranuar nga Prokuroria në Gjilan ku kemi kontaktuar me burimet  e informacionit, kemi konkretizuar se për kënd bëhet fjalë pra për viktimën, cilat janë kontaktet e viktimës me të dyshuarin kur kemi arritur që këto informacione t’i konkretizojmë atëherë kemi përgatit një raport informues për Prokurorinë në Gjilan dhe pas kësaj prokuroria ka autorizuar IPK që të hapë rast penal dhe të hetojë me masa të fshehta personin e dyshuar”, shtoi tutje ai.

Pas aplikimit të të gjitha masave që kishin në dispozicion ishte arritur që të vërtetohej se informacioni ishte i saktë dhe polici po kryente vepër penale.

“Nga aplikimi i masave të fshehta kemi arritur që të vërtetojmë se zyrtari policor i dyshuar ka kontakte me viktimën dhe përmes vëzhgimit është vërtetu se zyrtari policor është duke frekuentuar lokacionin ku dyshojmë se mund të kryhet vepra penale e sulmit seksual andaj jemi duke aplikuar edhe masat e tjera përmes teknikave për ndriçimin e kësaj vepre penale”, tregon tutje Haxhimustafa.

Para arrestimit, IPK do duhej që të gjitha provat dhe materialet që posedonin në lidhje me rastin t’i vendosnin në një raport informues për prokurorin e rastit në Gjilan ndërsa nga ai duhej të merrej edhe vendimi që polici të arrestohej nën dyshimin për kryerjen e veprës penale sulm seksual ndaj një të miture.

Tutje Haxhimustafa shpjegoi edhe se çfarë rrezikshmërie konsiderohet arrestimi i një zyrtari policor duke pasur parasysh se të njëjtit janë të pajisur edhe me armë zyrtare.

“Duke marrë parasysh që çdo zyrtar policor është i armatosur dhe arma zyrtare bartet 24 orë nga ta niveli i rrezikshmërisë gjithnjë në IPK kur kemi të bëjmë me operacione të tilla, llogaritet niveli i mesëm dhe i lartë. Por me profesionalizëm të hetuesve të IPK nuk dyshoj se do të kemi ndonjë rezistencë apo hapësirë që i dyshuari të bëj ndonjë veprim të pa menduar”, tha Haxhimustafa.

Për disa muaj me radhë IPK në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan zbardhën një aferë ku ishte përfshirë një zyrtar policor.

Një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga zyrtari policor ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë treguar se e mitura ka pasur edhe zhvillim të vonshëm mendor.