Cilat lokacione do të jenë në fokus të festivalit "Manifesta"?

Festivali “Manifesta”, i cili do të mbahet në Prishtinë nga korriku e deri në nëntor, pritet të përfshijë rreth 25 hapësira/objekte në kryeqytet.

Vesa Sahatçiu pjesë e “Manifestës” por edhe këshilltare në Komunën e Prishtinës ka treguar disa nga lokacionet kryesore që do t’i prekë “Manifesta”.

Ndër objektet kyçe pritet të jetë objekti i Tjegullores i cili në këtë periudhë është i mbushur me bërllok.

 

“Me aq sa e di janë 25 hapësira si Tulltorja, ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” që është rrugës për te ‘Qafa’, ajo do të revitalizohet. Është Hamami i Prishtinës, Shtëpia e Artistëve, sheshi “Skënderbeu”, Memoriali në Velani, është objekti “Gërmia”. Ekspozitat do të ekspozohen në hotelin ‘Grand’ ku çdo kat do të jetë me ekspozita të një teme të caktuar. Jam shumë e lumtur që 48% e artistëve pjesëmarrës janë vendorë. Tani sa i përket ‘Tulltores’, edhe një pjesë më e madhe ka qenë me bërllok po ashtu ka qenë edhe ‘dumping’ ilegal, por e kemi pastruar dhe është duke u pastruar edhe pjesa tjetër, para 22 korriku do të jetë e pastër”, tha ajo.

Teuta Hoxhaj Jahaj nga “Manifesta” tha se deri te hartimi i një programi për intervenimet si në rastin e ‘Tulltorës’ është bërë përmes punëtorive dhe takimeve me komunitetin.

Rina Gaslica po ashtu nga “Manifesta” tha se edhe ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” do të jetë një ndër objektet kyçe që do të rinovohet.

Ajo theksoi se edhe pas këtij festivali ajo do të menaxhohet nga institucionet.