Ilustrim

Cilat ligje për arsimin do të iniciohen nga Qeveria në vitin 2021?

Qeveria e Kosovës më 7 maj, pos programit qeverisës, ka miratuar edhe programin legjislativ për vitin 2021.

Që nga fushata parazgjedhore e deri më tani, Albin Kurti ka premtuar se fusha e arsimit do të jetë prioritet për Qeverinë e tij.

E në kuadër të kësaj fushe, Qeveria Kurti 2 ka paraparë që brenda vitit 2021 të iniciojë 5 projektligje për miratim.

Ndër to janë edhe Projektligji për Tekstet dhe Mjetet Shkollore, ai për Lëtyrën Shkollore dhe Dokumentacionin Pedagogjik në Republikën e Kosovës, që është paraparë të përfundojë më 30 nëntor 2021.

Ndërsa, Projektligji për Edukimin Parashkollor Edukimin në Fëmijërinë e Hershme 0-6 vjeç në Republikën e Kosovës, është paraparë të përfundojë më 30 shtator të këtij viti.

Qeveria Kurti, po ashtu ka në plan që këtë vit ta procedojë Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, i cili ndër vite ka mbetur peng. Ky projektligj është planifikuar të përfundojë më 30 nëntor 2021.

Projektligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, është një nga ligjet e para që do të përfundojnë. Ai është planifikuar që të jetë i gatshëm më 10 gusht të këtij viti.

Kurse, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) është ligji i parë që do të përfundojë dhe është planifikuar të dorëzohet më 30 qershor 2021.

Këto projektligje pas përfundimit, sipas procedurave duhet të miratohen në Qeverinë e Kosovës dhe pas kësaj të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Qeveria Kurti 2 u zgjodh më 22 mars të këtij viti, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.