Cilat konkluzione i ka pranuar Prokuroria Speciale nga ekspertiza zvicerane për Astrit Deharin?

Debate e kritika janë ngritur ndaj Prokurorisë Speciale në lidhje me një njoftim të publikuar dy ditë më parë në lidhje me raportin e institutit zviceran për Astrit Deharin.

Janë bërë më shumë se 5 vite që kur ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ishte gjetur pa shenja jete në qelinë e tij brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Që nga dita kritike deri më sot hetimi i vdekjes së Astrit Deharit kishte marrë kahje të ndryshme.

Për këtë çështje ishin kërkuar ekspertiza të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK dy ditë më parë njoftoi opinionin publik shkurtimisht për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

Për këto deklarime gjatë ditës së djeshme dhe sot pati reagime të shumta.

Ministria e Drejtësisë e quajti manipulim njoftimin e Prokurorisë Speciale në lidhje me konkluzionet.

Sipas një njoftimi të MD-së Prokuroria Speciale nuk kishte publikuar të gjitha konkluzionet e institutit.

Ngjashëm reaguan edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla por edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale pas këtyre reagimeve vendosi që të deklarohet sërish.

Në njoftimin e prokurorisë janë vendosur me një dokument të veçantë pesë konkluzionet që pretendohet se janë pjesë e raportit:

Në bazë të të gjitha elementeve që kishim në dispozicion dhe pas analizave të kryera në laboratorët e QURML dhe të Shkollës së Shkencave Kriminologjike (ESC) mund t’i nxjerrim këto konkluzione:

  1. Analizat e ADN-së të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucash dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil ADN tjetër përveç se atij të z. Astrit Deharit.
  2. Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerr asnjë gjurmë të gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës, brisk rroje, stilolaps i lidhur për lidhësen e këpucës dhe pjesa e metaltë) kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante.
  3. Analiza toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit kanë treguar praninë e metabolitit të kafeinës dhe mosprani të etanolit.
  4. Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.
  5. Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të ri- ekzaminohej trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.

Materiali i cili është vënë në dispozicion në QURML do të ruhet duke pritur udhëzime të reja nga Prokuroria.

Këto konkluzione sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale kanë dalë nga S. Grabherr, Specialist FHM e mjekësisë ligjore dhe Drejtoreshë e QURML, V. Castella, Specialist i Gjenetikës Forenzike SSML, QURML, C. Champod Drejtor i Shkollës së Shkencave Kriminologjike Universiteti i Lozanës si dhe M.A. Anthonioz Bashkëpunëtor shkencor, Shkolla e shkencave Kriminologjike, Universiteti i Lozanës.

Prokuroria: Ekspertiza zvicerane nuk gjeti ADN tjetër në objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin