Cilat janë sfidat në Klinikën e Onkologjisë dhe pse dha dorëheqje u.d. drejtori Arben Bislimi?
Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet lidhur me sfidat e Klinikës së Onkologjisë, i ftuar është edhe Arben Bislimi, i cili deri para disa ditëve ka pasur pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Onkologjisë, pozitë nga e cila dha dorëheqje.
Ai ka folur për sfidat e kësaj Klinike dhe për vështirësitë gjatë menaxhimit të saj.
“Vetë puna në Klinikën e Onkologjisë është sfiduese e le më menaxhimi, pra kjo Klinikë është qendra referente e vetmja në Kosovë që merret me trajtimin e të prekurve me kancer” – thotë Bislimi gjersa shton se vetë serioziteti i sëmundjes dhe vetë diagnoza e saj e bënë të veten.
Sipas ish-drejtorit, Klinika e Onkologjisë është kampion i punës dhe i shërbimeve, jo vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës por edhe në nivel vendi.
“Është Klinikë që jep shërbime brenda ditës mesatarja 250 pacientë në repartin e kimioterapisë dhe afër 100 janë në repartin e radioterapisë. Një frekuentim të jashtëzakonshëm ka në këtë Klinikë” – thotë ai.
Tutje Bislimi tregon se Klinika e Onkologjisë ka probleme edhe me infrastrukturë, duke thënë se në vendin ku ata punojnë si onkologë mund të thuhet se janë të improvizuara si pjesë.
Ai thotë se në kohën kur ai e ka marrë nën menaxhim këtë Klinikë ishte në gjendje të jashtëzakonshme.
“Ishte një situatë e jashtëzakonshme në Klinikën e Onkologjisë në atë fazë kur e mora unë. E dini që kanë qenë vërshimet, marrja me ujë e komplet shërbimit të radioterapisë dhe ka qenë definitivisht sfida më e madhe që e kemi pasur ne në klinikë” – thotë ai.
Bislimi tregon se planet kanë qenë që pacientët që i kishin gjatë asaj kohe t’i dërgonin në Shqipëri për trajtim të mëtutjeshëm.
Lidhur me arsyet se pse ai ka dhënë dorëheqje, Bislimi ka thënë se janë arsye personale.
“Dorëheqja fundja e fundit është personale dhe është njerëzore, arsyet janë personale” – shprehet ai.
Ish-drejtori i Onkologjisë ka folur edhe lidhur me mungesën e digjitalizimit në këtë Klinikë, për të cilën ka thënë se është duke u punuar që të bëhet ‘një lloj digjitalizimi’.
“E pamë të arsyeshme që të startojmë me kartelizim, nuk ka asgjë të keqe këtu për shkak se kartelizimi ta mundëson me e pasë një pasqyrë për atë pacient edhe për më vonë edhe tash i kemi edhe është kartoteka. Kjo është një pararojë e këtij digjitalizimit që i përmende. 8 kompjuterë na kanë ardhë në dhjetor, edhe disa të tjerë sa kam informata pritet të vijnë edhe të fillojmë me një lloj digjitalizimi, i cili kish me na ndihmu shumë” – ka thënë Bislimi.
Ai tutje ka shtuar se nuk është e vërtetë që në Klinikën e Onkologjisë nuk ka evidencë, duke thënë se kjo mund të jetë një keqinterpretim.
Ai ka shpjeguar më pas se si bëhet evidenca në këtë Klinikë.
“Është e mirë shtesë prania e kartelave, kjo as nuk diskutohet. Procedura është e tillë edhe ka qenë që pacienti vizitohet nga mjeku në ordinancë, e bën kontrollin edhe me atë raport vazhdon në sportel. Janë pesë filtra, janë pesë mënyra të protokollimit dhe të evidentimit të atij protokolli të asaj terapie” – ka thënë Bislimi.
Ai tutje e ka shpjeguar këtë proces në këto pesë mënyra, duke thënë se të gjitha janë të evidentuara.