Foto: KALLXO.com

Cilat janë efektet e ndotjes së ajrit në shëndet?

Ndotja e ajrit ka ndikime të konsiderueshme në shëndet, mjedis dhe ekonomi.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas këtij raporti, ndikimi negativ është veçanërisht i dukshëm tek shëndeti i qytetarëve, sidomos tek ata që jetojnë në zona urbane dhe afër zonave ku ka trafik intensiv dhe zonave industriale.

Ndotja e ajrit njihet si një nga kontribuesit kryesorë të barrës globale mjedisore të sëmundjeve.

“Çdo vit, mijëra njerëz që vuajnë nga efektet e ndotjes së ajrit shtrihen në spitale, e disa prej tyre edhe vdesin para kohe. Ndotja e ajrit prek njerëzit çdo ditë, por kërcënim më të madh për shëndetin e njeriut përbën ekspozimi afatgjatë në doza më të ulëta”, thuhet në raport.

Ndotja e ajrit mund të ketë efekt negativ në shëndet, varësisht nga kohëgjatësia e ekspozimit, nga gjendja shëndetësore dhe përqendrimi i ndotësve.

Kur ndotësit e ajrit të përmasave mikroskopike hyjnë në trup, duke depërtuar thellë në sistemin e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut, ato mund të kenë efekte në organe dhe sisteme të ndryshme të organizmit, jo vetëm në sistemin e frymëmarrjes.

Në raport theksohet se ndotësit mikroskopik të ajrit ndikojnë negativisht në pjekurinë e trurit dhe në zhvillimin mendor të fëmijëve.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë efekte serioze dhe të përhershme shëndetësore, siç janë:

  • Plakja e përshpejtuar e mushkërive;
  • Humbja e kapacitetit të mushkërive dhe rënia e funksionimit të mushkërive;
  • Zhvillimi i sëmundjeve të tilla si astma, bronkiti, emfizema, e ndoshta edhe kanceri i mushkërive.
  • Sëmundja ishemike e zemrës dhe goditjet në tru, që shkaktojnë 80% të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

Jini të vëmendshëm ndaj simptomave, siç janë:

  • kollitja, gëlbazi, shtrëngimi në gjoks, fishkëllima, vështirësia në frymëmarrje
  • shtrëngimi në gjoks, dhimbja e gjoksit (angina pectoris), palpitacionet, gulçimi, lodhje e pazakontë, sëmundje të arterieve koronare, ritme abdominale, dështim kongjestiv i zemrës, goditjet në tru

Në raport këshillohet që gjithmonë të vizitohet mjeku familjar ose klinika shëndetësore në rast se përjetohen efekte negative nga ndotja e ajrit.