Cilat ishin modelet më të mira për luftimin e pandemisë?

I ftuar në KALLXO #Pernime përballë gazetares Jeta Xharra, mikrobiologu Lul Raka ka treguar se cilat shtete ishin modelet më të mira për luftimin e pandemisë.

Ai ka përmendur shtete si Japonia, Koreja e Jugut apo Australia që sipas tij, e menaxhuan mjaft mirë pandeminë.

“Modelet më të mira për luftimin e pandemisë kanë qenë Japonia, Koreja e Jugut, Singapori, Australia, Zelanda e Re, këto shtete kanë qenë shembull në botë. Pse kanë qenë këto shtete, sidomos pjesa aziatike. Numri i vdekjeve, nëse e shikojmë, është dhjetë fish më i ulët se në krahasim me Amerikën dhe Evropën, e numrin e popullatës e ka trefish më të madh”, ka thënë Raka.

Sipas tij, arsyeja që këto shtete e menaxhuan më mirë se shtetet e tjera të botës, ishte sepse ishin përballur me një virus të familjes së coronavirusit.

“Një nga faktorët kryesorë ka qenë se këto shtete e kanë përjetu ‘Sars’ qysh në 2002-2003. Në momëntin e përballjes, këto shtete kanë investu jashtëzakonisht shumë në kapacitetet e shëndetësisë publike, i kanë fuqizu kapacitetet e shëndetësisë, i kanë fuqizu kapacitetet e laboratorëve”, ka thënë Raka.