Foto: Rtv21

Cilat grup mosha do të vaksinohen në fazën e dytë të vaksinimit? (DOKUMENT)

Sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit në Kosovë, i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë fazës së dytë të vaksinimit parashihet të vaksinohen 17 për qind e popullsisë.

Në total, numri i personave që parashihet të vaksinohen në fazën e dytë është 306 mijë persona.

Në fazën e dytë është paraparë vaksinimi i grup moshave 65-79 vjeç, të cilët përbëjnë 7.4 për qind të popullsisë apo 133,348 persona.

Gjatë kësaj faze po ashtu është paraparë të vaksinohen edhe personat e mbetur me sëmundje kronike, që janë 135 mijë e 439 persona 7.5 për qind.

33 mijë e 310 mësues apo 1.87 për qind e popullsisë, si dhe Forcat e Sigurisë të përfshira drejtpërdrejt në menaxhimin e COVID-19 që i bie 3 mijë e 903 persona apo 0.21 për qind.

Asnjëra nga fazat e parapara, nuk është konkretizuar me afat kohor. Ndërsa shifrat e planifikuara për vaksinim nëpër faza, janë shumë më të larta se sa numri i vaksinave që vendi ka siguruar deri më tash.

Në fazën e parë të vaksinimit ka qenë i paraparë vaksinimi i 3 për qind të popullsisë apo 54 mijë persona.

Deri më tash, Kosova ka pranuar vaksina anti-COVID-19 vetëm donacione ndërsa institucionet në vend nuk kanë blerë asnjë vaksinë.

Nga programi COVAX, Kosova ka pranuar 62 mijë e 400 vaksina antiCOVID-19 nga 100 mijë e 800 dozat e vaksinës anti-COVID të planifikuara që të ndahen për Kosovën.

Ndërsa vendi është furnizuar edhe me 4,680 vaksina Pfizer/BioNtech nga pjesa e parë e 95 mijë vaksinave të cilat janë ndarë për Kosovën nga BE në kuadër për mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për vaksinimin me vaksinën kundër SARS-CoV-2.