- FOTO: KALLXO.com

Cilat do të jenë pagat në Policinë e Kosovës sipas koeficientit në vitin 2023?

105 euro është vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik të përcaktuar për vitin 2023 ndërsa për vitin e ardhshëm kjo vlerë do të jetë 110 euro.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor 2022 ndërsa sot është bërë edhe publike vlera e koeficientit për zyrtarët e institucioneve publike në Kosovë.

KALLXO.com ju sjell pagën dhe koeficientin për 13 pozitat e zinxhirit që përbën Policinë e Kosovës, institucionin kyç të sigurisë në Kosovë.

“Kjo është arritur falë bashkëpunimit dhe punës së palodhshme që kemi bërë”- tha Ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës koeficientin e ka 14.5 ndërsa në bazë të vlerës së saj këtë vit do të ketë pagë prej 1 mijë e 522 euro.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës ka koeficientin 12.8 ndërsa paga e tij këtë vit do të jetë 1 mijë e 344 euro.

Drejtori i departamentit në Policinë e Kosovës ka koeficient 11.2 ndërsa sipas vlerës ai do të marrë këtë vit pagë prej 1 mijë e 176 euro.

Koloneli ka koeficientin 10.2, paga e cila do të jetë 1 mijë e 71 euro, nënkoloneli ka koeficient 9.2 dhe paga do të jetë 966 euro.

Majori ka koeficientin 8.2 ndërsa paga do të jetë 861 euro, kapiteni 7.4 koeficientin ndërsa vlera 777, togeri, me koeficient 7 do të marrë 735 euro, rreshteri me koeficient 6.4 do të marrë 672 euro, polici i lartë 5.9 do të marrë pagën prej 619 euro e 50 cent, polici me koeficient 5 do të ketë pagën 525 euro.

Polici i ri në PK ka koeficientin 4.5 dhe do të marrë 472 euro e 50 cent ndërsa kadeti policor që ka koeficientin 2 do të marrë 210 euro.

Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas Ligjit të pagave.

“Pas miratimit të Ligjit të pagave, sot po vendosim në ligjin e buxhetit të Kosovës edhe vlerën e koeficientit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas ligjit të pagave të 82 mijë zyrtarëve publikë” – u shpreh Kurti.

Ai njoftoi se për këtë vit koeficienti do të jetë 105 ndërkaq shtoi se, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave në vitin e ardhshëm do të jetë 110.

“Pas këtij procesi është mbërritur tek vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105, ndërsa në janar të 2024 sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave ai do të jetë 110. Me këtë plotësim ndryshim i hapet rrugë sistemit të ri të pagave prej këtij muaji”- shtoi Kurti.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.