Darko Tasiq - Foto: KALLXO.com

Cilat dëshmi i mori për bazë Gjykata e Prizrenit që dënoi me 22 vite burg Darko Tasiqin?

Gjykata e Prizrenit e ka gjetur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare në Krushë të Vogël të akuzuarin Darko Tasiq dhe e ka dënuar me 22 vite burgim.

Trupi gjykues, i përbërë nga kryetari Artan Sejrani dhe gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi, e gjetën Tasiqin fajtor për dy pika të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq mes datave 15-26 mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël, në cilësinë e pjesëtarit të forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e shpalli fajtor Tasiqin dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës, Darko Tasiq akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Për pikën e dytë të aktakuzës Tasiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 16 vitesh.

Trupi gjykues të akuzuarit Tasiq i shqiptoi dënim unik në kohëzgjatje prej 22 vitesh burgim.

Gjatë leximit të shpalljes së vendimit në pika të shkurtra trupi gjykues ka arsyetuar faktet që mori për bazë dhe që kanë vërtetuar gjendjen e konstatuar.

“Kjo Gjykatë ka vlerësuar të gjitha provat që janë administruar gjatë shqyrtimeve gjyqësore dhe padyshim që me dëshminë e dëshmitarëve, e posaçërisht të dëshmitarit Kasum Hajdari dhe dëshmitarëve të tjerë është vërtetuar aktakuza”, ka thënë gjyqtari Artan Sejrani me rastin e shpalljes së vendimit.

Gjykata i ka falur besueshmërinë dëshmisë së dëshmitarit Kasum Hajdari, i cili kishte thënë se të akuzuarin Darko Tasiq e kishte pasur fqinj të parë dhe kishin pasur raporte të mira, ndërsa pas fillimit të luftimeve dëshmitari e kishte parë të akuzuarin duke plaçkitur shtëpitë e familjes Hajdari dhe pas përfundimit të luftës kur familja Hajdari ishte kthyer në fshat të gjitha gjësendet e plaçkitura ishin gjetur në shtëpinë e familjes së Darko Tasiqit.

Gjyqtari Artan Sejrani gjatë leximit të arsyetimit në pika të shkurta tha se dëshmitari Kasum Hajdari ka rrëfyer se më 26 mars 1999 në orët e pasdites në fshatin Breg i Drinit kishte parë një kamion ngjyrë portokalli, të cilin kamion e ka njohur si pronë të një personi nga fshati Krushë e Madhe. “Ky kamion është djegur nga Darko Tasiq, dhe me të kanë qenë babai i tij, Sreqko Tasiq dhe vëllai i tij, Sveta, dhe disa policë të tjerë dhe ne i kemi parë se si është shtënë me automatik në drejtim të kamionit dhe kamioni është djegur me një lëndë djegëse dhe është tentuar të hidhet në lumin Drin”, citoi gjyqtari dëshminë e dëshmitarit.

Trupi gjykues ka marrë për bazë edhe dëshmitë e dëshmitarëve Bajram Zylfiu, Kadri Muharremi, Xhafer Muharremi dhe Drita Batusha, të cilët kanë thënë se më 25 mars 1999 kishin parë Darko Tasiqin duke plaçkitur shtëpitë e familjes Hajdari dhe pas plaçkitjes këto shtëpi janë djegur dhe i akuzuari Darko Tasiq me multikultivator i ka bartur gjësendet e vjedhura nga shtëpitë e familjes Hajdari.

Në arsyetim trupi gjykues ka konsideruar se të gjithë këta dëshmitarë kanë identifikuar dhe kanë parë tek fshati Bregu i Drinit se i akuzuari Darko Tasiq së bashku me babanë e tij dhe vëllanë e tij kishin ardhur me kamionin me ngjyrë të portokalltë dhe kishin shtënë disa herë me automatik dhe kishin hedhur lëng për djegie të kamionit dhe kur kishin dështuar të fundosnin kamionin në lumin Drin atëherë Darko Tasiq shkon aty afër merr një mjet të përshtatshëm që ta shtyjë kamionin që ky kamion të fundoset në lumin Drin. “Dhe jo rastësisht Darko Tasiq ka marrë këtë mjetin e përshtatshëm pasi që ka qenë mekanik dhe i ka ditur se si ndizet ky mjet”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Artan Sejrani.

“Pra, nga të gjitha këto dëshmi dhe shumë prova të tjera, pa dyshim se është vërtetuar aktakuza”, ka thënë trupi gjykues.

Ndërsa sa i përket pretendimit të avokatëve mbrojtës, të cilët në fjalën përfundimtare kishin kontestuar se vepra penale sipas aktakuzës – përdhosja e kufomave nuk përbën vepër penale, për trupin gjykues këto pretendime nuk qëndrojnë “ngase që të katër konventat e Gjenevës parashikojnë që i vdekuri të varroset me nder, dhe se ritet e fesë të cilës i ndjeri i përkiste, nëse është e mundur duhej të respektohen”.

Në seancën e datës 17 qershor kur prokurorja dhe mbrojtësit kishin dhënë fjalën përfundimtare prokurorja Drita Hajdari kishte potencuar faktin se hetimi për krimet e luftës në Krushë të Vogël nuk është zhvilluar vetëm ndaj Darko Tasiqit por ndaj 36 personave të dyshuar.

Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para kësaj Gjykate duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.

Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë brenda stacionit të Policisë që është prapa Gjykatës dhe kanë sulmuar automjetin me të cilin po bartej i akuzuari.

Nga përplasja me Policinë, disa protestues kanë pësuar lëndime, kryesisht nga spreji lotsjellës i përdorur nga Policia për të shpërndarë protestuesit që kishin hyrë brenda oborrit të stacionit të Policisë.