Cila është pasuria e komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi?

Krenare Sogojeva Dërmuaku, që është zgjedhur komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka folur në lidhje me pasurinë e saj.

Ajo tha se që nga viti 2008 e bën deklarimin e pasurisë pasi që ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes si zyrtare ligjore.

“Unë jetoj në një shtëpi me bashkëshortin dhe fëmijët, që është e trashëguar prej vjehrrit, jam në proces të blerjes së një apartamenti të ri, për shkak të zgjerimit sepse kam dy fëmijë. Kam një automjet, edhe burri ka një automjet. Kjo është pasuria ime”, deklaroi ajo.

Sogojeva-Dërmaku ka folur edhe për shkeljen e privatësisë në ditët e sotme. Ajo tha se shkelja e të drejtës së privatësisë ndodh në gjithë botën, sidomos pas zhvillimit të tekonologjisë.

“Duhet të trajnohen kompanitë private, organizatat se deri ku mund dhe si duhet t’i mbajnë, t’i përpunojnë, t’i menaxhanojnë dhe transmetojnë të dhënat personale”, tha ndër të tjera ajo.

Agjencia për Informim dhe Privatësi për katër vite ka mbetur jofunksionale dhe pa komisioner. Pazaret politike dhe përplasjet në Kuvend kanë bërë që për një kohë të gjatë të mbetet pa komisionerin, për shkak se Ligji e parasheh që funksionalizimi i Agjencisë të nisë pasi të emërohet komisioneri. Kosova, për katër vite nuk ka arritur ta trajtojë asnjë ankesë për shkelje të privatësisë.

Komisioni i përbërë prej Enver Dugollit, Erxhan Galushit, Arbër Rexhajt, Fatmir Humollit, Shqipe Selimi, Mefail Bajqinovcit dhe Slavko Simiqit, këta vendosën të vazhdojnë me procesin dhe e renditën të parin Enver Bujarin për komisioner, të dytën e renditën Krenare Sogojeva-Dërmakun, e të tretin Edon Miftarin.

Në fund Krenare Sogojeva Dërmaku, e cila në proceset e kaluara dy herë ishte vlerësuar si kandidatja më e suksesshme nga Ambasada britanike, ajo në fund pas gjithë kësaj sage, pas katër viteve, u emërua komisionere në këtë Agjenci me 65 vota.

BIRN Kosova ka monitoruar procesin e zgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi për 2 vjet e gjysmë sa ka zgjatur ky proces.