Cila është pasuria e Edi Ramës dhe bashkëshortes Linda Rama?

Në deklaratën e vitit 2013, kryeministri Edi Rama posedonte një apartament parafabrikat të fituar nga privatizimi si dhe një studio artistike të trashëguar nga i ati, raporton Klan TV.

Asokohe me pasuri dhe me të ardhura më të konsiderueshme figuronte bashkëshortja e tij, Linda Rama, e cila përveç apartamentit me verandë dhe garazh në kryeqytet, ishte pronare e më shumë se 4 000 metrave katrorë tokë në Surrel.

Zonja Rama posedonte atëherë 6 milionë lekë në llogari bankare dhe 70 mijë euro, të cilat i kishte dhënë hua pa interes. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama llogariste më pak se 1 milionë lekë kursime personale dhe një llogari bankare prej 2 milionë lekësh të deklaruara si të ardhura nga shitja e librit “Kurbani”.

Por ndërsa figuronte pronar me 50% i një shtëpie banimi në Surrel me vlerë ndërtimi rreth 40 milionë lekë të reja, kryeministri rezultonte të kishte edhe një borxh prej 12 milionë lekësh, kundrejt subjektit ndërtues të shtëpisë së tij, si dhe të një kredie bankare me vlerë 80 mijë euro.

E ndërsa llogaritë edhe pronat e çiftit Rama, gjatë këtyre viteve kanë lëvizur me shtesa dhe shpenzime, përmes një llogarie të përafërt në bazë të çfarë çifti ka deklaruar në ILDKPI rezulton se ata janë pronarë me 50 % të shtëpisë në Surrel.

Gjithashtu Zonja Rama ka një llogari bankare që shkon në afërsisht 8 milionë lekë të reja, ndërsa kryeministri një llogari prej 700 mijë lekësh të reja. Ata kanë edhe një borxh prej 22 mijë euro për të shlyer nga kredia që kanë marrë në vitin 2013.