Cila është historia e veprave artistike që u fshehën e u ruajtën me xhelozi nga punëtorët e “Grand Hotel”-it?

Në emisionin e sontëm “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi i KALLXO.com që ka filluar qysh më 2017 lidhur me atë se çka ka ndodhur me koleksionin e mbi 300 veprave të artit modern që kanë qenë në hotelin “Grand Hotel” që nga themelimi i tij më 1979.

Fjala është për veprat e artistëve si Agim Çavdërbasha, Muslim Mulliqi, Sokol Shiroka, Gjelosh Gjokaj, Rexhep Ferri, Matej Rodiqi etj.

Pas këtyre viteve, të mekurën u arrit që rreth 50 vepra të artit pamor nga 27 artistë, nga koleksioni i hotelit “Grand Hotel” në Prishtinë të ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Grandart 1970-2000”.

Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të GKK-së, tregon edhe si vendosi që pas shtatë vitesh që u evidentuan, të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Kombëtare të Kosovës.

“Unë kam filluar në vitin 2003 në Galeri si koordinator i ekspozitave, edhe qysh prej asaj kohe kam pasur njohuri rreth këtij koleksioni duke e ditur që Galeria Kombëtare e trashëgon një koleksion të begatshëm në fondin e saj. Shumica e autorëve të saj janë prezentë në atë koleksion. Duke i ditur edhe tregimet të kustozve që kanë qenë pjesë e Galerisë dhe rëndësinë e vetë hotelit “Grand”, që në atë kohë si një prej hoteleve më prestigjioze. Një prej përparësive që ka qenë atë kohë ata ka ditë prej kujt me ble dhe çfarë vlerash me prezantu se vetë hoteli reprezanton vlerat e një shteti”, ka thënë ai.

“Secila e ka vlerën e vet. Ka pasur zëra se nuk e kanë atë vlerën e duhur për shkak të kopjeve të përsëritura sidomos kur bëhet fjalë për grafiket. Grafiket janë kopje zakonisht kah dyta-treta ose kopja e dhjetë apo dymbëdhjetë meqenëse është origjinale të vetë autorëve. Duke bërë seleksionimin e veprave, për shkak të kopjeve të përsëritura të grafikeve është dashur që autorët që kanë pasur nga dy-tri punime të ndryshme, ju kanë ekspozu të gjitha. Kurse, shumica e autorëve që kanë pasur një vepër po kanë pasur disa kopje, iu kanë prezantu vetëm një vepër”, ka thënë Spahiu.

Tutje ai rrëfen edhe për kapacitetet në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Në mënyrën qysh janë të sistemuara, nuk janë në gjendje kritike. Ato ruhen jo në mënyrën më të mirë por ruhen me standarde që çdo vit kërkohet të bëhet një aneks i veçantë edhe pse ne si institucion kemi nevojë për një sektor të restaurimit edhe aty ka punime që janë ngapak të dëmtuara. Kurse sa i përket koleksionit të “Grand”-it, momenti kur është kërku në atë kohë megjithëse nuk ka pasur gatishmëri prej menaxhmentit  të kaluar që ata me u marrë me këtë koleksion. Unë e mora me plot pasion kërkesën prej Ministrisë, e gjeta mënyrën e sistemimit, bartjen e punimeve, i solla në Galeri, pa e ditur që të nesërmen do të bëhem ushtrues i detyrës. Kam shtypur planprogramin e vitit 2020 që ka mbetur pa u realizuar për shkak të pandemisë dhe e futa koleksionin e ‘Grand’-it”, u shpreh ai.

KALLXO.com në vitin 2017 kishte bërë dokumentarin që tregon që nga gjendja e veprave që po mbaheshin në “Grand Hotel”. E gjitha kjo kishte filluar pasi Vesa Sahatçiut, historiane e artit, erdhi e raportoi në KALLXO.com për vepra të jashtëzakonshme të artit.