Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çika e dajës së Ardian Gjinit punësohet në QKMF në Gjakovë

Trëndelina Shehu- Hasi është punësuar së fundmi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Gjakovë.

Shehu- Hasi, është çika e dajës së kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ajo në QKMF-në e Gjakovës është punësuar në pozitën ‘Zyrtare Financiare dhe Kontabilitet’.

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Shehu- Hasi e ka konfirmuar që kryetari Gjini është djali i hallës së saj, ndërsa ka thënë se ai nuk ka pasur ndikim në pozitën që është përzgjedhur.

“Jo, kryetari i komunës nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen time. Unë kam aplikuar për këtë pozitë, kam vijuar vlerësimin me shkrim dhe me gojë/intervistë, në të cilat kam arritur pikë maksimale. Ky vlerësim është realizuar nga një ‘Komision i Përzgjedhjes’ për këtë pozitë, anëtarët e të cilit nuk i njoh dhe nuk kam asnjë relacion familjar ose profesional”, ka thënë Shehu- Hasi.

Tutje, Shehu-Hasi ka thënë se ka përvojë mbi 10 vjeçare në fushën që është përzgjedhur.

“Unë kam mbi 10 vite përvojë dhe performancë të suksesshme profesionale në sektorin financiar dhe kontabilitet në institucione private bankare të ndryshme. Jam diplomuar për studime Bachelor në degën Banka, Financa dhe Kontabiltet, në vitin 2009”.

Konkursi në fjalë nga Komuna e Gjakovës është shpallur më 17 mars 2021. Konkursi ka qenë i hapur për vetëm një pozitë, ndërsa në rezultatet përfundimtare janë pranuar 2 persona.

Përveç Trëndelina Shehu- Hasit, që është renditur e para me 64.8 pikë, e dyta në këtë konkurs dhe që është përzgjedhur është edhe Fatbardha Xhepa-Dina me 63.1 pikë.

Ditë më parë, KALLXO.com ka raportuar se po ashtu në QKMF-në e Gjakovës është punësuar motra e gruas së u.d. drejtorit të QKMF-së, Arben Koshit, i cili kishte mohuar se ka ndikuar në punësimin e motrës së gruas së tij.

Në QKMF në Gjakovë punësohet baxhanakesha e u.d. drejtorit