Çifti presidencial i Kosovës priten në darkë nga ai i Francës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu janë pritur nga çifti presidencial i Francës, presidenti  Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron në një darkë në Pallatin Élysée.

Kështu bëri të ditur Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sonte bashkë me Prindonin, kishim kënaqësinë të pritemi në darkën e organizuar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron në Pallatin Élysée”- shkruan Osmani.

Presidentja Osmani po qëndron në Paris në margjinat e Forumit të Paqes.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me presidenten Osmani është duke marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.