Çifti nga Malisheva që ndan pensionet për fëmijët jetim

Hysni dhe Nakije Gashi nga Malisheva tash e një kohë kanë po ndajnë pensionet e tyre për t’i ndihmuar fëmijët jetim të kësaj komune.

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi thotë se Hysni Gashi, është ndër profesorët e parë që punoi në gjimnazin e Malishevës, në fillim vitet e gjashtëdhjeta, i cili edhe më tutje po kontribuon për qytetarët e komunës së tij.

“Ai jo vetëm që kontribuoi në arsimimin e gjeneratave të reja, por edhe sot në moshën 86 vjeçare, bashkëjeton me malishevasit, e në veçanti me familjet që kanë nevoja sociale dhe për këtë kategori të shoqërisë, ka vendosur të ndajë me bashkëshorten Nakijen, pensionin e pleqërisë”, njofton komuna.

Deri më tash, ata për këto familje ka ndarë 1,350 euro, kurse shpërndarjen thuhet se e ka bërë, personi përgjegjës në institucionet komunale.

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, e ka pritur dhe falënderuar çiftin në emër të komunës dhe familjeve që kanë pranuar ndihmën,.

“Ju dje ishit ndër profesorët e parë që hapët dritaren e arsimit shqip në Komunën e Malishevës, sot po hapni dritaren e humanizmit, duke ndarë pensionin tuaj për familjet malishevase në nevojë e veçmas për jetimët edhe në këtë moshë të shtyrë, prandaj si ish nxënës i juaji, dhe kryetar Komune, ju jam mirënjohës për veprën e madhe humane që po bëni për qytetarët e Malishevës”, citohet të ketë thënë Begaj.

Hysni dhe Nakije Gashi do të vazhdojnë t’i ndihmojnë familjet në nevojë të Malishevës dhe posaçërisht jetimët.