Çifti nga Juniku shpërndan ushqim falas për qytetarët e Teksasit

Javën e kaluar, kur qytetarët e Teksasit në SHBA kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ngrohje si pasojë e motit të ftohtë, një çift nga Kosova ka ndihmuar shumë familje me ushqim falas.

Ari Isufaj dhe gruaja e tij Blinera shpërndanë 500 shujta ushqim të nxehtë për qytetarët e Planos, në veri të Teksasit.

Çifti nga Juniku gatuan ushqimin në restorantin “Bella Italia Ristorante” të cilin e kanë hapur në vitin 2014.

“Kaluan 48 orë pa rrymë dhe ditën e tretë u organizuam mirë me punëtorët, me Blinerën, që të jemi gati, që kur t’i ftojmë të gjithë njërëzit, që t’u japim të gjithë atyre qe vijnë për të marrë një ushqim të nxehtë”, thotë ai.

“Blinera me një punëtor, dilnin jashtë dhe ua merrnin porositë nëpër makina, që mos me dal njerëzit prej makinave dhe ne ishim të përgatitur me dy lloje të ushqimeve, lazanja dhe shpageta”, thotë Isuaj.

Si pasojë e të ftohtit, ky vend, javën e kaluar, mbeti pa rrymë, pa ngrohje dhe pa ujë./REL.