Christian Schmidt: Lavdërimi i kriminelëve të luftës është “i papranueshëm”

Në konferencën e tij të parë për shtyp, Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnjë tha se nuk kishte asnjë justifikim për të lavdëruar kriminelët e luftës dhe se ai nuk kishte ardhur në Bosnjë “për të pirë kafe”, por për t’i çuar gjërat përpara.

“Nuk ka absolutisht asnjë arsye të pranueshme për të lavdëruar kriminelët e dënuar të luftës”, tha Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt i Gjermanisë.

Ai shpjegoi se shumë gjëra duheshin kuptuar kur shikon të kaluarën.

“Unë nuk jam këtu për të sjellë narrativat e mia… është e nevojshme që ne të shohim historinë, të respektojmë historinë, veçanërisht që të respektojmë viktimat”, tha Përfaqësuesi i Lartë.

Schmidt përmendi gjithashtu filmin e fundit mbi luftën në Bosnje, “Quo vadis, Aida?” me regji të Jasmila Zbaniç.

“Skena e fundit – ku shihni… fëmijë dhe të rinj që i përkasin të gjitha grupeve etnike – ne duhet të pyesim veten se çfarë po bëjmë për ta dhe të mos themi: ‘Nuk më pëlqen ky, më pëlqen ai.’ Jo. Ne jemi përgjegjës”, tha ai.

“Unë kam zgjedhur të vij këtu sepse ndihem përgjegjës, veçanërisht si një gjerman që e di se vendi i tij kontribuoi në shumë gjëra të këqija në këtë rajon në shekullin e kaluar”, tha Schmidt.

Duke komentuar autoritetin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR, i cili kritikohet shumë në Bosnjë dhe gjetkë, ai tha se i takonte atij të shfaqte legjitimitetin e tij.

“Nuk jam dikush që ka ardhur këtu për një udhëtim apo për të pirë kafe ose verë. Jam këtu për të çuar përpara disa gjëra, që do të thotë se e kuptoj shumë mirë këtë detyrë”, tha ai, duke shtuar se një gjë ishte shumë qartë.

“Dejtoni dhe Marrëveshja e Paqes – ju rekomandoj t’i lexoni përsëri këto. Ne jemi këtu për të zgjidhur problemet dhe jam i bindur se përmes diskutimeve dhe gjërave kuptimplota mund të arrijmë në rezultate adekuate me të tre përfaqësuesit”, tha ai, duke iu referuar komuniteteve kryesore të boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.

Ai shpjegoi gjithashtu atë që kërkonte komuniteti ndërkombëtar nga Bosnja dhe Hercegovina. “Përgjigja është e thjeshtë – asgjë e veçantë. Ne duam të ndihmojmë Bosnjën dhe Hercegovinën të jetë një “shtet normal” dhe një partner i besueshëm”, tha Schmidt.

Ish-ministri i ushqimit në Gjermani, 63 vjeç, mori postin e tij më 1 gusht duke pasuar Valentin Inzkon e Austrisë.BI