Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Foto: REL
Chollet tregon se çka bisedoi me Vuçiq
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Chollet ka thënë se ka inkurajuar Vuçiq të nxitur qetësi tek serbët e Kosovës për të ndihmuar në shtensionim të situatës në veri dhe të kthehet në rrugën e normalizimit me Kosovën përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“E inkurajova dje Presidentin e Serbisë, që të nxisë qetësinë tek serbët e Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- ka shkruar Chollet në Twitter.
Encouraged Serbian President Vucic @predsednikrs yesterday to urge calm among Kosovan Serbs, take steps to help defuse the crisis in the north of Kosovo, and return to the path of normalization and constructive engagement in the EU-facilitated Dialogue.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) June 3, 2023
Serbët lokal në komunat veriore Zveçan, ZubinPotok dhe Leposaviq janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.
SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.
Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.
Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.
Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.
Përderisa sot, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” – thuhet në reagimin etij.
Ai ka shprehur shqetësimin edhe mbi ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.
Borrell ka theksuar se BE është e gatshme të zbatojë masa të rrepta nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë të shtensionojnë menjëherë situatën.