Foto: ZKM

Chollet përshëndet Kurtin për marrëveshjen e Ohrit: Kosova tani më afër se kurrë të ardhmes së saj në BE

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, përmes dy reagimeve të ndara, një për Kosovën e një për Serbinë, në Twitter ka folur për takimin e 18 marsit që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Chollet ka thënë se ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sot për marrëveshjen e arritur për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj, Serbinë.

Ai në reagimin e tij ka shtuar edhe se Kosova tani është më afër se kurrë me të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, Chollet ka falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për ‘angazhimin konstruktiv në Ohër’.

“Është e rëndësishme të merren hapa të menjëhershëm për të zbatuar dhe vendosur një rrugë të qëndrueshme drejt normalizimit dhe integrimit në BE” – është shprehur ai.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.