Derek Chollet, SHBA
Chollet: Nuk po shohim zbatim të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë raportimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se Kosova dhe Serbia nuk janë duke implementuar marrëveshjen e arritur në Ohër. Sipas tij, “nuk po shohin zbatim të marrëveshjes”.
“Nuk po shohim zbatim nga asnjëra anë të kësaj marrëveshjeje. Është diçka që kolegu im, Escobar, ëshë fokusuar dhe ka pasur rastin të flasë edhe me Borrellin nga Bashkimi Evropian. Edhe BE është fokosuar prandaj jemi angazhuar që të dy palët të implementojnë marrëveshjen… Ne duhet të nisim të shohim implementimin e kësaj marrëveshjeje”- tha Chollet.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është shumë e rëndësishme për të dyja shtetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
“Implementimi dhe arritja e një marrëveshjeje në mes dy vendeve është kruciale për qëllimet e tyre politike. Nëse marrim shembull njerëzit në Kosovë ata presin të shohin implementimin e Asociacionit”- tha Escobar.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të raporteve dhe më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.