Derek Chollet - Foto: ZKM

Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë propozimin evropian

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka diskutuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Chollet ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ta pranojë propozimin evropian.

“Fola sot me kryeministrin Albin Kurti ku diskutova për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë. Një çështje kyçe ishte bashkëpunimi ynë dhe synimi i përbashkët në avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Chollet në Twitter.

 

Në tetor të vitit 2022, dialogut Kosovë-Serbi iu shtua edhe një propozim i ri, ai franko-gjerman, i cili ditëve të fundit ka filluar të quhet edhe propozimi i Bashkimit Evropian.

Përmbajtja e planit franko-gjerman është duke u mbajtur e fshehtë nga autoritetet kosovare dhe ato të Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues të dialogut Kosovë-Serbi.