Chollet bisedon me Kurtin për shtyrjen e gjobave për targat

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka bërë të ditur se të premten ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin thotë kanë biseduar për shmangien edhe përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.

Chollet në një postim në Twitter shkruan se shtyrja e gjobave për targa, mbajtja e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në dialog janë rruga më e mirë për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm: shtyrja e gjobave për targa, mbajtja e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në dialogun me Serbinë janë rruga më e mirë për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës” – ka shkruar Chollet.

Nga ky takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën shkroi në Twitter se ka biseduar me Chollet “për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me përqendrim në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.

Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh. Shumica e serbëve të Kosovës që kanë mbajtur pozita të rëndësishme në vend kanë vendosur që të dalin nga institucionet kosovare.