Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Foto: REL

Chollet: Besojmë se bisedimet do të çojnë në njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë

Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në njohje reciproke.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet, tha po ashtu se dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është “element kritik” në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Ne duam ta shohim Kosovën të vazhdojë në rrugën drejt integrimit më të madh evropian dhe një nga mesazhet që doli nga takimi shumë i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë, i pari i këtij lloji që mbahet në rajon, ishte një angazhim i ripërtërirë i Bashkimit Evropian për ta çuar më tej këtë integrim. Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar te normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por, ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës”, tha ai.

Chollet, së bashku me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të hënën do të nisin vizitën dyditore në Kosovë. Dy zyrtarët më pas do të qëndrojnë edhe në Serbi, dhe vende të tjera të rajonit.

Një nga temat e takimeve me zyrtarët në Prishtinë, Chollet tha se do të jetë shtyrja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për shkak të incidenteve të armatosura që kanë ndodhur ditëve të fundit.

Në këtë intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet u pyet për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se për këtë do të flasë me zyrtarët në Prishtinë.

“Për sa u përket bisedimeve që janë në vazhdim e sipër dhe do të ketë një rund të ri bisedimesh në javët e ardhshme në Bruksel. Ne e mbështesim shumë këtë proces. Nuk dua të hyj në detaje, por një nga gjërat për të cilat do të flas kur të vizitoj Prishtinën dhe më pas Beogradin, do të jetë se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij për të pasur negociata të suksesshme”, tha ai.

Vizita e Chollet në Kosovë vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veri, teksa autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 18 dhjetorit.

Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka njoftuar se ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një rund të ri të dialogut. Por, data e mbajtjes së këtij rundi, ende nuk dihet.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia insiston në një “zgjidhje kompromisi”./REL