Asamblisti Gëzim Sveçla duke u dërguar në gjykatore pasi Prokuroria kërkoi masën e arrestit shtëpiak - 11.12.2024
Çfarë thuhet në vendimin e Gjykatës që e la të mbrohet në liri asamblistin Gëzim Sveçla?
KALLXO.com raportoi sot më 11.12.2024 se Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.
Sveçla po dyshohet për kryerje të veprës penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pas dëmtimit të një mikrofoni në Sallën e Asamblesë Komunale në kryeqytet.
KALLXO.com ka arritur të siguroj vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit Gëzim Sveçla.
Sipas vendimit të Gjykatës në seancën dëgjimore të mbajtur sot më 11.12.2024, pas elaborimit të kërkesës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak nga prokurorja e shtetit Rukije Sheshivari, mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Ilir Ramaj ka deklaruar se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij Gëzim Sveçla.
Sipas vendimit të Gjykatës, arsyeja pse avokati i të dyshuarit e ka kundërshtuar është sepse sipas tij në këtë fazë nuk mund të mbështet një dyshim fillimisht i arsyeshëm e as i bazuar se i njëjti mund ta ketë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Tutje sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës avokati Ramaj kishte deklaruar se meqenëse i mbrojturi i tij kishte qenë në ditën kritike në vendin e punës në Kuvendin Komunal si anëtar i kuvendit i zgjedhur duke mbajtur fjalim dhe pas një pauze i njëjti ishte mllefosur pasi që kishin qenë disa vendime të propozuara, pasi që i njëjti kishte menduar se mund të jenë të dëmshme për shtetin e Republikës së Kosovës.
“Sa i përket pretendimit të prokurorisë se ekziston rreziku se i njëjti mund të pengoj rrjedhën e procedurës që mund të ndikoj në dëshmitarë, aspak nuk është e vërtetë pasi që ajo video është parë dhe nuk mund të ndikoj në dëshmitarë, sepse veprimi i tij ka qenë nën afekt dhe nuk ka diçka tjetër përveç asaj që është parë në videoincizim” – ka deklaruar mbrojtësi i të dyshuarit Gëzim Sveçla, avokati Ilir Ramaj, sipas vendimit të gjykatës në seancën dëgjimore.
“Sa i përket rrezikut të përsëritjes së veprës penale, nuk ka rrezik pasi që i njëjti është anëtar i Kuvendit komunal dhe pas kryerjes së atij veprimi i njëjti është takuar me kolegë dhe nuk ka pasur probleme tjera. I njëjti përveç se është anëtar i Kuvendit komunal, ndjek ligjëratat e masterit dhe ka angazhime në kuvendin komunal”- ka deklaruar tutje mbrojtësi i të dyshuarit Gëzim Sveçla, avokati Ilir Ramaj, sipas vendimit të gjykatës në seancën dëgjimore.
Sipas vendimit të Gjykatës të cilin ka arritur ta siguroj KALLXO.COM Gëzim Sveçla në seancën dëgjimore ka deklaruar se veprimi i cili ka ndodhur është mediatik dhe i njëjti është bërë në vendin e tij të punës.
“Veprimi që ka ndodh është mediatik, është parë dhe e kam bërë në vendin e punës, është veprim politik që nuk ka për qëllim dëmtimin e pronës në këtë rast pronë e përbashkët pasi që jam anëtar i Kuvendit dhe nuk flitet për dëmtim por ka ndonjë një defunksionalizim i mikrofonit për të cilën teknika e Kuvendit e ka rregulluar brenda disa minutave”– përshkruhet në vendimin e Gjykatës se ka deklaruar Gëzim Sveçla në seancën dëgjimore.
KALLXO.COM ka raportuar sot (11.12.2024) se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Po ashtu sot gjatë ditës KALLXO ka raportuar se Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 10.12.2024, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehuri G. S. lirohet të mbrohet në liri”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G. S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G. S. të mbrohet në liri”- thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Sveçla më 09.12.2024 kishte njoftuar se po dërgohet në mbajtje për 48 orë, pas veprimit që ai bëri, e që ai e vlerësoi vetëm si ‘aksion simbolik’.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’ dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të gjithë jemi të barabartë. A jemi, nuk e di?”– ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, veprimi i tij ishte ‘për të shpërfaqur një Pazar të madh në Prishtinë’, e madje ai tha se më herët me personat me mbiemra pushtetarësh nuk kanë guxuar as t’i thërrasin.
Sveçla ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se e kishte bërë për të pamundësuar vazhdimin e seancës.
E për veprimin e tij ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, e cila tha se Sveçla përdhosi institucionin dhe sfidoi parimet bazë të demokracisë.
‘Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve, që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta – jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve’– thuhet, mes të tjerash, në reagimin e Komunës.
Në reagim gjithashtu thuhet se asamblistët e VV-së kanë bllokuar ‘çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve’, duke përfshirë miratimin e buxhetit, sipas tyre që ‘të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët’.