Çfarë të bëhet me rreth 65 milionë tonelata mbetje minerare të "Trepçës"?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për gjendjen dhe të ardhmen e shtyllës së ekonomisë së Kosovës – “Trepça”.

Panelistët po diskutojnë edhe për gjendjen e punëtorëve të ndërmarrjes publike “Trepça”.

Besim Imeri, drejtor i Njësisë për ndërmarrje publike, ka bërë të ditur se në vitin 2021 Qeveria e Kosovës ka ndarë subvencion prej tre milionë euro për “Trepçën”.

“Qeveria nuk i paguan rrogat e ‘Trepçës’, i ndihmon herë pas here me shpenzime operative. Vitin e kaluar i ka dhënë 3 milionë subvencione për dy pjesët”, ka thënë Imeri.

Në anën tjetër, Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë ka bërë të ditur se subvencionimi është ndarë në dy pjesë.

“Dy milionë është me subvencionu me paga, kuptohet që jemi në pandemi, një milion janë për investime kapitale”, është shprehur Arifaj.

Gjatë emisionit zëvendësministri Arifaj ka bërë të ditur se në “Trepçë“ janë rreth 65 milionë tonë mbetje minerare.

Ndërsa, Esat Peci, ish-anëtar i bordit të “Trepçës”, ka propozuar që nga shumat e mundshme të fituara nga ato mbetje të shkojnë në investime kapitale.

“Nuk duhet të harxhohen ato para për paga në asnjë rrethanë, ato duhet të shfrytëzohen për investime kapitale”, ka thënë Peci.

Besim Imeri, drejtor i Njësisë për ndërmarrjen  publike, ka bërë të ditur se problemi kryesor në “Trepçë” është mungesa e minatorëve, ndërsa zëvendësministri Arifaj ka bërë të ditur se numri i minatorëve është rreth 80.

“Numri i minatorëve është shumë i vogël, nëse i ka diku rreth 1,300 punëtorë, minatorë mund t’i ketë 80, mirëpo secili minator ka edhe ndihmësit e vet që ata nuk e kanë atë titullin minator”, ka thënë Arifaj.