Çfarë po ndodh me vizat për Kosovën?

Të enjten për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ndonëse e gjithë mbledhja u zhvillua pa prezencën e mediave, më vonë Radio Evropa e Lirë raportoi se vendet anëtare kanë qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por Franca “e ka kushtëzuar” procesin duke kërkuar që liberalizimi i vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Ky propozim sipas raportimit, është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Infografika: KALLXO.com

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Përderisa në Kosovë filloi diskutimi për “kushtin” e Francës, zëvendëskryeministri për integrim dhe dialog Besnik Bislimi reagoi duke thënë se  nga burimet që kanë brenda Këshillit nuk ka asnjë shtet që ka shprehur hezitime ose kundërshtime për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sot nuk është pritur votim, as nuk është pritur vendim, ka qenë e qartë se një pjesë e shteteve për arsye të ndryshme nuk munden sot me e deklaru votën e tyre për shkak se ka nevojë që çështja pas shqyrtimit të raportit të Bashkimit Evropian të kthehet në diskutim në parlamentet e vendeve nacionale, mirëpo raportimet që i kemi ne nga brenda na tregojnë që nuk ka pasur asnjë shtet që ka shprehur hezitime ose kundërshtime për liberalizimin e vizave për Kosovën” – ka thënë Bislimi në një intervistë në ATV.

Në anën tjetër presidenca çeke e Këshillit Evropian ka thënë se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim”, thuhet në njoftim.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.

Krerët shtetëror, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë shprehur ‘optimist të kujdesshëm’ për liberalizimin e vizave, dhe nuk kanë përmendur asnjë datë se kur kjo mund të ndodhë.

Liberalizimi i vizave nënkupton që  qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për viza kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në katër vendet e asociuara në Schengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).