Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çfarë po ndodh me të drejtat e shqiptarëve në Luginë?

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani në emisionin “KALLXOPërnime” ka rrëfyer problemet dhe shkeljet e të drejtave me të cilat përballen qytetarët atje.

Sinani thotë se mohimi i të drejtave nis që nga mos njohja e diplomave nga Universitetet e Kosovës.

“Përpos problemeve të përditshme dhe problemit socio ekonomik, ne përballemi çdo ditë edhe me mohimin e të drejtave dhe shkeljeve të të drejtave tona e më papunësi. E para është mos njohja e diplomave kur të rinjve tanë iu mohohet e drejta e krijimit të një vendi të punës. Të rinjtë tanë që diplomojnë në Kosovë, nuk mund të punësohen në Serbi, edhe procedurat burokratike të diplomave të atyre studentëve që diplomojnë në Universiteteve të Shqipërisë apo Maqedonisë janë të stërzgjatura, me vite të tëra nuk munden të iu nostrifikohen dhe iu mohohet edhe atyre e drejta të krijojnë një marrëdhënie pune”, tha Sinani.

Ajo shtoi se mos integrimi i shqiptarëve nëpër institucione shtetërore është një problem tjetër me të cilën përballet kjo komunë.

“Mos integrimi i shqiptarëve nëpër institucione shtetërore, po ashtu edhe mos lejimi i mësimi i fëmijëve tanë me tekste mësimore. Kemi bërë disa hapa për nxënësit në shkollë tonë fillore, ndërsa për atë të mesme nuk është lejuar ende asnjë tekst shkollor. Mos përdorimi i flamurit, shpërngulja masive dhe me pasivizimin e adresave”, u shpreh kryetarja Sinani.

Më 10 maj 2021, Ardita Sinani është zgjedhur kryetare e Komunës së Preshevës.

Ajo u votua me 22 vota pro, ndërsa kundër ishin 9 vota.