Foto-ilustrim

Çfarë plani parasheh Strategjia për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në muajin tetor ka nxjerrë vendim për planin strategjik për tri vitet e ardhshme.

KGjK-ja për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit ka hartuar planin për gjykimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përgjegjësinë për zbatimin e planit për zgjidhjen e këtyre rasteve e kanë kryetarët e gjykatave pasi zgjidhen si persona përgjegjës nga Koordinatori i Planit të Strategjisë.

Sipas këtij plani, kryetarët e gjykatave duhet brenda 15 ditëve të identifikojnë të gjitha lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Identifikimi i këtyre lëndëve përfshijnë të dhënat si datën e kryerjes së veprës penale, datën e ngritjes së aktakuzës, datën e pranimit të akuzës në gjykatë, numrin e të akuzurve, datën e caktimit të shqyrtimit fillestar, datën e shqyrtimit të kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, datën e caktimit të shqyrtimit gjyqësor, numrin e seancave, dëmin e shkaktuar me veprën penale, dobinë pasurore të sekuestruar apo konfiskuar si dhe datën e vendimit final të lëndës.

Të dhënat tjera që duhet të përfshihen janë dënimi i shqiptuar nga gjykata, suspendimi i personave zyrtarë nga puna, nëse është urdhëruar dëmshpërblimi.

Ky plan ka paraparë identifikimin e menjëhershëm të parashkrimit të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nxjerrjes së vendimit në raport me to.

Ndërsa për lëndët që janë afër parashkrimit është paraparë caktimi i prioritetit në zgjidhjen e tyre për të parandaluar parashkrimin.

Kryetarët e gjykatave lidhur me të dhënat e lëndëve të identifikuara do ta informojnë me shkrim Koordinatorin.