Çfarë përmban Rregullorja e miratuar nga Bordi i RTK-së për procedurat e zgjedhjes e drejtorit të përgjithshëm?

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar mbrëmë Rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së.

Pas miratimit të saj bordi ka autorizuar administratën e RTK-së që ta shpall konkursin për drejtor të përgjithshëm të televizionit publik më 23 maj 2022.

Por çfarë përmban kjo rregullore?

Rregullorja për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së ka 26 nene.

Sipas kësaj rregullore shpallja e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm do të bëhët brenda 90 ditëve para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual ndërsa do të qëndroj i hapur për 15 ditë kalendarike.

Rregullorja përcakton se njëri nga kushtet për të aplikuar për këtë pozitë është që kandidati duket të mos ketë qenë deputet, ministër apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politika gjatë tri viteve të fundit.

Sipas pikës 9.4 të nenit 9 i gjithë procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm do të jetë i hapur për monitorim, me një njoftim paraprak.

Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm do të emërohet me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit bazuar në Ligjin e RTK-së.

KËTU mund të gjeni rregulloren.

Më 22 mars, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës kishte vendosur që të mos e zgjedhte drejtorin e përgjithshëm të RTK-së me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjedhjen e një drejtori të ligjshëm.