Çfarë nënkupton pezullimi i Rusisë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, pas raportimeve “për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut”, nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën.

Kjo kërkesë e shtyrë nga Shtetet e Bashkuara është miratuar me 93 vota për, 24 kundër dhe 58 shtete kanë abstenuar.

Për pezullimin e Rusisë janë nevojitur dy të tretat e shumicës.

Pezullimet e tilla janë të rralla.

Libia është pezulluar më 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të ish-liderit, Muammar Gaddafi.

Rusia ka paralajmëruar se vota për apo abstenimi do të konsideron “gjeste jomiqësore” me pasoja për lidhjet bilaterale, sipas një shkrese që ka parë agjencia e lajmeve, Reuters.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Çfarë nënkupton ky pezullim?

Rusia ka qenë në vitin e dytë të mandatit trevjeçar në këtë Këshill me bazë në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime detyruese.

Megjithatë, vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.

Moska është një prej anëtareve më të zëshme të Këshillit dhe pezullimi nënkupton që ajo nuk mund të flasë dhe të votojë, kanë thënë zyrtarët, ndonëse diplomatët e saj ende kanë mundësi të marrin pjesë në debate, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

“Ata do të tentojnë të ketë ndikim në Këshill përmes bashkëpunëtorëve të tyre”, ka thënë një diplomat me bazë në Gjenevë.

Muajin e kaluar, ky Këshill ka nisur hetime për supozimet e lidhura me shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë krime të mundshme të luftës në Ukrainë.

Ukraina falënderon OKB-në për vendimin e marrë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka mirëpritur vendimin e OKB-së të enjten.

“Kriminelët e luftës nuk kanë vend në trupat e OKB-së, të cilët synojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut. Mirënjohës ndaj të gjithë anëtarëve që kanë mbështetur këtë rezolutë të rëndësishme dhe kanë vendosur të qëndrojnë në anën e duhur të historisë”, ka thënë Kuleba përmes një postimi në Twitter.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që dënojnë pushtimin rus.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë këtë javë se do të kërkojnë pezullimin e Rusisë, pasi Ukraina ka akuzuar trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytezën ukrainase Buça.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, ka thënë të martën se në kohën kur Buça ka qenë nën kontrollin rus, “asnjë civil nuk ka vuajtur nga dhuna”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL