Çfarë ndodh nëse Trump arrestohet?

Donald Trump po e pret arrestimin e tij të shumëpritur këtë javë me akuza që rrjedhin nga një hetim për një pagesë prej 130,000 dollarësh për yllin porno Stormy Daniels në vitin 2016.

Trump do të jetë presidenti i parë amerikan që do të përballej me akuza penale.

Këtu janë disa pyetje kyçe lidhur me këtë rast.

Për çfarë akuzohet Trump?

Në vitin 2016, ylli i filmit për të rritur, Stormy Daniels kontaktoi me media duke i ofruar shitjen e llogarisë së saj – të asaj që ajo tha se ishte një lidhje kurorëshkelëse që e kishte me Donald Trumpin në vitin 2006.

Ekipi i ish presidentit Trump e kuptoi këtë dhe avokati i tij Michael Cohen i pagoi 130,000 dollarë zonjës Daniels në mënyrë që kjo e fundit të heshtë.

Diçka e tillë nuk është e paligjshme. Megjithatë, kur Trump e rimbursoi avokatin Cohen, të dhënat për pagesën thonë se ishin për tarifat ligjore. Prokurorët thonë se kjo do të thotë që ish presidenti Trump i ka falsifikuar të dhënat e biznesit, që është një kundërvajtje – një vepër penale – në Nju Jork.

Prokurorët mund të pretendojnë gjithashtu se kjo shkel ligjin zgjedhor, sepse përpjekja e tij për t’i fshehur pagesat e tij ndaj Daniels ishte e motivuar nga mosdashja që votuesit të dinin se ai kishte një lidhje me të. Mbulimi i një krimi duke i falsifikuar të dhënat do të ishte një krim, që është një akuzë më e rëndë.

Edhe avokatët e ndjekjes penale pranojnë se sido që të jetë, ky nuk është aspak një rast i qartë. Ka pak precedent për një ndjekje penale të tillë dhe përpjekjet e kaluara për t’i akuzuar politikanët për tejkalimin e limitit midis financimit të fushatës dhe shpenzimeve personale kanë përfunduar në dështim.

“Do të jetë e vështirë”, thotë Catherine Christian, ish-prokurore financiare për prokurorinë e qarkut të Nju Jorkut.

A do të akuzohet vërtet?

Vendimi nëse do të ngrihen akuza i takon Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg. Ai e vendosi jurinë e madhe për të hetuar nëse kishte prova të mjaftueshme për ndjekje penale, dhe është i vetmi që e di nëse – ose kur – do të shpallet aktakuza ndaj Trump.

Javën e kaluar, avokatët e Trump thanë se ish-presidentit iu ofrua një shans për t’u paraqitur para jurisë së madhe, gjë që konsiderohet një shenjë se hetimi është afër përfundimit.

A ishte e ligjshme pagesa e Trump për Stormy Daniels?

Avokatët i kanë minimizuar sugjerimet se ata ose Trump kanë ndonjë njoftim paraprak për një aktakuzë të afërt, duke thënë se komentet e tij në lidhje me ditën e martë bazoheshin në raportet e mediave.

Megjithatë, ka shenja të tjera që juria e madhe po përfundon.

Si Michael Cohen ashtu edhe ish-këshilltari i tij ligjor Robert Costello kanë dhënë dëshmi ditët e fundit.

Costello u parashtrua nga ekipi mbrojtës i Trump të hënën në një përpjekje për ta diskredituar dëshminë e Cohen.

Çfarë ndodh nëse Trump akuzohet?

Nëse prokurori Bragg vendos të vazhdojë me akuzat, ai së pari do ta informojë ish presidentin Trump dhe avokatët e tij, duke i nisur negociatat se si dhe kur ish-presidenti do të paraqitet në New York City për arrestimin e tij zyrtar dhe seancën e parë në gjykatë.

Njoftimi i një aktakuze mund të vijë nga zyra e prokurorit të qarkut ose nga ekipi i Trump, i cili ka qenë i shpejtë për të folur me mediat ndërkohë që është shpalosur historia rreth kësaj çështjeje.

Dokumenti që i paraqet akuzat zyrtare kundër Trump nuk do të bëhet publik derisa një gjykatës t’i lexojë akuzat kundër tij.

Duke pasur parasysh natyrën historike të një vendimi të tillë dhe shqetësimet e sigurisë të përfshira, detajet e paraqitjes së ish presidentit Trump në Nju Jork janë disi të pasigurta.

Avokatët e Donald Trump kanë treguar se ai do të bashkëpunojë me autoritetet e Nju Jorkut, kështu që nuk do të jepet asnjë urdhër për arrestimin e tij.

Ish presidenti Trump e ka avionin e tij personal, kështu që ai mund të fluturojë në një nga disa aeroportet e zonës së Nju Jorkut dhe më pas të bëjë udhëtimin për në gjykatën e Manhatanit me veturë.

Nëse Trump arrestohet, a do t’i merren shenjat e gishtërinjve?

Si pjesë e këtyre negociatave me prokurorët, gjykata mund të pranojë gjithashtu që t’i lejojë atij një hyrje private në gjykatë, në vend të “hyrjes si i pandehur” më tipike para mediave të mbledhura.

Megjithatë, sapo të hyjë brenda, ish presidentit Trump do t’i merren shenjat e gishtërinjve si të gjithë të pandehurve në çështjet penale. Atij do t’i lexohen gjithashtu të drejtat e tij “Miranda”, duke i kujtuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur sipas kushtetutës, për të drejtën për një avokat dhe të refuzojë të flasë me policinë.

Të pandehurit e akuzuar për një krim zakonisht vihen në pranga përkohësisht, megjithëse avokatët e Trump do të përpiqen ta shmangin atë për klientin e tyre. Gjatë gjithë procesit të rezervimit, ai do të shoqërohet nga agjentë të Shërbimit Sekret.

Më pas, Trump do të presë në një zonë mbajtjeje ose qeli derisa të dalë para një gjyqtari. Gjyqi – momenti kur i pandehuri bën deklarimin e tij para një gjyqtari – është i hapur për publikun.

Pasi çështja të rezervohet dhe të zgjidhet një gjyqtar, detaje të tjera do të vendosen, të tilla si koha e gjykimit dhe kufizimet e mundshme të udhëtimit dhe kërkesat për lirimin me kusht për të pandehurin.

Një dënim për kundërvajtje do të rezultonte me gjobë. Nëse Trump do të dënohej për akuzën e krimit, ai do të përballej me një dënim maksimal prej katër vjet burg, megjithëse disa ekspertë ligjorë parashikojnë se një gjobë është më e mundshme dhe se çdo kohë pas grilave është shumë e pamundur.

A mund të kandidojë ende për president?

Një aktakuzë apo edhe një dënim penal nuk do ta pengonte Trump ta vazhdojë fushatën e tij presidenciale nëse ai vendos kështu – dhe ai ka dhënë çdo indikacion se do të vazhdojë të ecë përpara pavarësisht se çfarë ndodh.

Në fakt, asnjë ligj amerikan nuk thotë se e pengon një kandidat që shpallet fajtor për një krim të bëjë fushatë dhe të shërbejë si president – madje edhe nga burgu.

Megjithatë, arrestimi i Trump do ta ndërlikonte fushatën e tij presidenciale, mund të jetë një shpërqëndrim i rëndësishëm për një kandidat në kohën e fushatës, duke u përpjekur t’i pengojë votat dhe të marrë pjesë në debate.

Një aktakuzë gjithashtu do t’i thellonte dhe do t’i provokonte edhe më shumë ndarjet tashmë të mëdha brenda sistemit politik amerikan.

Konservatorët besojnë se ish-presidenti po mbahet me një standard tjetër drejtësie, ndërsa liberalët e shohin këtë si një çështje të mbajtjes së përgjegjësisë ndaj shkelësve të ligjit – madje edhe atyre në pozitat më të larta të pushtetit./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala