Çfarë ndikimi kanë pasur sanksionet perëndimore ndaj Rusisë mbi eksportet e saj të naftës dhe gazit?

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, shumë shtete janë zotuar t’i japin fund ose t’i kufizojnë importet e tyre të naftës dhe gazit për t’i zvogëluar të ardhurat e Moskës dhe, kësisoji, për t’i penguar përpjekjet e saj për luftë.

Ekonomia ruse është shumë e varur nga sektori i saj energjetik dhe Evropa është një importues i madh i energjisë ruse.

Çfarë sanksionesh janë vendosur?

Vendet e BE-së i kanë përfunduar importet e naftës ruse të sjella nga deti dhe një ndalim për produktet e naftës së rafinuar do të bëhet duke filluar nga 5 shkurti.

Shtetet e Bashkuara njoftuan në mars të vitit 2022 se po e ndalojnë importin e naftës ruse dhe Britania e Madhe pati thënë se po ndalon importin e naftës bruto ruse dhe produkteve të rafinuara me efekt nga 5 dhjetori.

Një tavan i çmimit të naftës i miratuar nga aleatët perëndimorë në dhjetor të vitit të klauar ka si qëllim hjithashtu ta parandalojë Rusinë që të marrë më shumë se 60 dollarë për një fuçi naftë bruto, megjithëse çmimi i tregut kohët e fundit ka qenë nën atë nivel.

Sektori rus i gazit ka qenë gjithashtu në shënjestër. BE ka thënë në muajin mars se do t’i reduktojë importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti. Britania e Madhe importoi vetëm sasi të vogla të gazit rus dhe tani nuk importon fare.

A kanë qenë efektive sanksionet?

Që kur BE-ja i ndaloi importet e naftës ruse nga deti në fillim të dhjetorit, çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm.

Ndalimi u zbatua në të njëjtën kohë me tavanin e çmimit të naftës ruse të dakorduar nga ekonomitë kryesore të botës.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se vendosja e çmimit tavan ka ndikuar në uljen e të ardhurave ruse nga nafta.

Mirëpo analisti i energjisë Ben Mcwilliams beson se është embargoja e naftës e BE-së që po ndikon në çmim, në vend të tavanit të çmimit.

“Nafta ruse tregtohet me rreth 50 dollarë për fuçi… Kjo është nxitur nga embargoja sepse Rusia tani duhet të përpiqet ta shesë naftën  diku tjetër”.

Moska zyrtare po humb rreth 175 milionë dollarë në ditë nga eksportet e karburanteve fosile për shkak të masave, sipas një studimi nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).

Përveç sanksioneve të naftës, janë miratuar masa të ndryshme nga vendet perëndimore në përpjekje për ta vështirësuar tregtinë me Rusinë.

Bankat kryesore ruse janë hequr nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve financiare SWIFT, duke i bërë më të vështira pagesat ndaj Rusisë për eksportet e naftës dhe gazit.

Ato vende që vazhdojnë të tregtojnë me Rusinë kanë kërkuar mënyra për ta zgjidhur këtë. Si Kina ashtu edhe India po e bëjnë gjithnjë e më shumë blerjen e naftës dhe gazit në monedhat e tyre lokale.

Kush po blen naftë ruse?

India, Kina dhe Turqia të gjitha i kanë rritur blerjet e tyre të naftës ruse vitin e kaluar – dhe së bashku tani përbëjnë 70% të flukseve totale të naftës së papërpunuar ruse nga deti.

Ky orientim drejt tregjeve të reja është nxitur nga Rusia që ofron naftën e saj me një çmim dukshëm më të ulët se sa standardi global i naftës së papërpunuar Brent.

Në fillim të vitit 2022, Rusia furnizoi më pak se 2% të importeve të naftës së Indisë. Por tani është në rrugën e duhur për t’u bërë furnizuesi më i madh dhe i vetëm i Indisë.

Importet e naftës ruse të Kinës janë rritur gjithashtu ndjeshëm në muajt e fundit, me më shumë se 20% në vitin deri në shtator 2022.

Në vitin 2021, më shumë se gjysma e të gjitha eksporteve të naftës bruto të Rusisë ka shkuar në vendet e Evropës. Por në vitin 2022, importet e naftës në Mbretërinë e Bashkuar nga Rusia ranë ndjeshëm dhe vendet e tjera evropiane gjithashtu u ulën importin nga Rusia.

Disa vende, megjithatë, kanë mbetur shumë të varura, sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Në tetor të vitit të kaluar, Republika Sllovake mori më shumë se 75% dhe Hungaria mbi 60% të naftës së tyre nga Rusia.

Vendet evropiane kanë kërkuar për mënyra nëse mund të marrin furnizime diku tjetër.

Klubi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) i vendeve importuese të naftës ra dakord të lëshonte 120 milionë fuçi naftë të papërpunuar nga rezervat e tyre në vitin 2022. SHBA lëshoi gjithashtu disa nga rezervat e saj strategjike vitin e kaluar.

Mirëpo thirrjet për vendet e pasura me naftë, të tilla si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Venezuela për ta rritur prodhimin pas luftës në Ukrainë nuk kanë qenë të pasuksesshme.

OPEC-u dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj të naftës e kanë ulur prodhimin në fund të vitit 2022 për t’i mirëmbajtur çmimet.

Evropa ende mbështetet në gazin rus

Reduktimi i importeve të gazit nga Rusia ka qenë një sfidë e madhe për shumë vende evropiane.

Kontinenti evropian e ka marrë pjesën më të madhe të gazit të tij përmes tubacioneve, shumica e të cilëve kalon përmes Rusisë.

Ato vende që nuk e bëjnë këtë, sikurse një tubacion që shkon nga Azerbajxhani dhe Turqia, nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e Evropës.

Në vitin 2021, Rusia i ka furnizuar vendet e BE-së me 40% të gazit të tyre natyror, me Gjermaninë si importuesin më të madh, e ndjekur nga Italia dhe Holanda. Kjo përqindje ka rënë në rreth 17% deri në gusht të vitit 2022, sipas shifrave të BE-së.

Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë një blerës kryesor i gazit rus – në vitin 2021, vetëm 4% e furnizimit të saj bëhej nga Rusia. Tani Britania e madhe nuk importon asnjë sasi gazi nga Rusia.

Shtetet e BE-së po kërkojnë gjithnjë e më shumë të transportojnë cisterna me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga prodhues të tillë si SHBA dhe Katari.

Zhvendosja drejt importeve të LNG nga vendet evropiane ka qenë shumë domethënëse, duke i zëvendësuar furnizimet nga Rusia, të cilat i kishin dominuar blerjet evropiane gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, “nuk ka mjaft terminale LNG në Evropë”, thotë këshilltarja e energjisë Kate Dourian. “Ky do të jetë një problem për Gjermaninë, veçanërisht”.

Janë planifikuar disa terminale të rinj LNG dhe disa janë tashmë në ndërtim në të gjithë Evropën, ndërkohe që shumë vende po përpiqen ta rrisin kapacitetin e tyre./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala