Foto: Screenshot nga video e Aleksandar Arsenijeviq

Çfarë masa u shqiptuan ndaj personave që "festuan" me vetura dhe me flamurë shqiptarë në Mitrovicë të Veriut?

12 persona, prej tyre 10 të mitur, të cilët u ndaluan nga Policia e Kosovës pasi hynë në Mitrovicën e Veriut me vetura dhe duke valëvitur flamurë shqiptarë, janë liruar.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, njoftoi se janë shqiptuar gjithsej katër tiketa – tri për mungesë të patentë shoferit, dhe lëndët e tyre janë dërguar në gjykatë.

Ndërsa një person tjetër Policia e ka dënuar me gjobë prej 30 eurosh, pasi në një automjet të llojit ‘pickup’ janë hasur më shumë pasagjerë sesa është e lejuar.

“Tre janë pa patentë shoferë. I kemi dërgu në gjykatë. Një tjetër e kemi dënu me 30 euro, e ka mbush ‘pickup”-in, në vend të dy njerëzve i ka futur shtatë njerëz”- tha Elshani.

KALLXO.com më 17.02.2025 raportoi se 12 persona, prej tyre dhjetë të mitur, janë ndaluar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 17.02.2025 nën dyshimet se me vetura, që kishin simbole kombëtare, kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës së Veriut.

Të njëjtit janë ndaluar për shkak të kundërvajtjes në trafik – mospasje të dokumenteve përkatëse dhe tejkalimit të numrit të pasagjerëve në një veturë.

Sipas Veton Elshanit, të njëjtit kanë hyrë me vetura në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ku më pas kanë hasur në sulme me gurë nga qytetarët serbë.

Ai ka thënë se gjatë ditës (17.02.2025) janë angazhuar që në pjesën veriore mos të ketë provokime me rastin e festimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kosova më 17.02.2025 festoi përvjetorin e 17-të të Pavarësisë.

Në anën tjetër, politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, ka publikuar në rrjetin social “Facebook” përkatësisht në opsionin ‘Story’ një video, në të cilën shiheshin veturat me flamurë shqiptarë duke kaluar në njërën prej rrugëve të Mitrovicës së Veriut.  [Arkiva]

https://kallxo.com/lajm/incident-ne-mitrovicen-e-veriut-ndalohen-te-miturit-shqiptare-ne-veturat-me-flamuj/