Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çfarë kishte deklaruar Lladrovci për kandidaturën e tij në #KallxoPernime - Video

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas ka vendosur që ta nominojë Driton Ajvazin për t`i hyrë garës për kryetar të Komunës.

Lladrovci i cili para pak kohësh e kishte shpallur kandidaturën e tij për ta kërkuar edhe një mandat në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti nuk e ka marrë mbështetjen ga Dega e PDK-së në Drenas.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, para pak ditësh ne #DebatPernime kishte se ka persona brenda Partisë Demokratike të Kosovës nga Dega në Drenas që janë kundër kandidaturës së tij për kreun e kësaj Komune për zgjedhjet që priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Lladrovci pati deklaruar se “lufta” ndaj tij ka filluar që kur është propozuar më 2016 për kryetar të Drenasit nga ish-lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

“Unë me partinë në nivel qendror jam në rregull, po në luftë me mua janë ata sepse unë nuk bëj atë që duan ata me e bë… Në parti nuk vijnë njerëzit e mirë gjithmonë, sepse nuk vjen i miri me u shty me të keqin. P.sh. këta keqbërësit, e kanë një pikë ku e kanë bë një nënshkrim në letër kundër emërimit tem, por po harrojnë se unë jam i emëruar në janar me vendim të partisë se unë jam kandidat për katër vjet. Por po harrojnë e po provojnë mos po mbërrijnë me bë diçka. Ata tanë, edhe të partive tjera, i dojnë veç mu jo”, u shpreh ai në emisionin#KALLXO Pernime.

Sipas Lladrovci, shkak i mospërkrahjes ndaj tij është se i ka ndalur punët jo të mira të ish-qeverisjes në këtë komunë.

“Nuk më dojnë se jau kam ndal punët e këqija. Ata thirren se e kam emëru nënkryetarin e Komunës pa e marr lejen prej tyne. Dhe se (nënkryetari) nuk i takon strukturave. Vite larg është nënkryetari prej krejt atyre bashkë. Nënkryetari jem i ka tri fakultete të kryme. I njeh pesë gjuhë të huaja”, u shpreh Lladrovci.

“Prej 2016-es kur jam ardh me ftesë të Kadri Veselit me kandidu për kryetar, ka fillu lufta kundër meje. Sepse, ata e kanë ditë personalitetin tem, që nuk mujnë me marrë tendera pa kritere, punësime pa procedura.. Mu më ka luftu edhe kryesia edhe në 2017-en kur kam kandidu, 70% janë kanë kundër meje, por unë i kam fitu 60% të votave të krejt komunës të Drenasit, për ata 8 muaj që punova e binda qytetarin”, shtoi ai.