
Çfarë kishin parë dhe dëgjuar dy dëshmitarë në lokalin "Cobra City", në natën kur mbeti i vrarë një i ri nga Kukësi
Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar edhe sot gjykimi në lidhje me vrasjen e rëndë në lokalin “Cobra City”, në Prizren, më 2023. Në këtë seancë kanë dhënë versionin e ngjarjes dy dëshmitarë të tjerë.
Të akuzuarit në këtë rast janë: Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, të cilët u paraqitën sërish në Gjykatën e Prishtinës, më 13.02.2025. Ndaj Dibran Hoxhës rëndon akuza për vrasjen e rëndë të viktimës, V. C. Kurse, katër të akuzuarit e tjerë akuzohen për: “pjesëmarrje në rrahje”, “manipulim me prova” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Fillimisht ka dhënë dëshminë dëshmitari Liridon Ajazi. Ai në fillim të dëshmisë së tij tha se në mbrëmje, më 02.01.2023, kishte qenë te lokali “Cobra City” së bashku me Lutmir Rizonajn, Lutmir Kabashin, Jetmir Hoxhajn dhe Brendon Kurtajn. Ai në fillim të dëshmisë se tij tha se nuk mban mend asgjë lidhur me këtë rast, pasi që kishte qenë shumë i dehur dhe të njëjtën gjë tha e kam thënë edhe në deklaratën në Polici.
Ai tregoi se kur ishte bërë rrëmuja ishte larguar afër tualetit dhe aty kishte qenë edhe një këngëtar, emrin e të cilit tha se nuk e di dhe se nuk e njeh, ndërsa pastaj ishte ndalur muzika. Mirëpo, i njëjti tha se kishte dëgjuar krisma, por që nuk mban mend asgjë, për shkak se kishte qenë i dehur.
“Nuk muj me dit sa kom nejt aty, deri sa u qetësu gjendja. Nuk e di çka ka ndodh. Jom kan i pitë.. Jom largu se nuk kom mujt as me nejt në këmbë.” – tha dëshmitari Liridon Ajazi.
“A ka qenë Dibrani në lokal?” – e pyeti prokurorja Merita Bina Rugova.
“Dibranin e kom pa n’lokal, kur ka ardhur Policia, ndryshe s’e kam parë.” – tha Ajazi.
“Dibranit, a i ke pa diçka në dorë, duke përfshirë edhe armë?” – e pyeti avokati Florent Latifaj.
“Jo, nuk i kam parë.” – tha Ajazi.
Dibran Hoxha pati pyetje për këtë dëshmitar.
“A të kujtohet kur kam ardhë e ju kom drejtu me fjalë fyese, e Arbenin e kom sha e i kom thanë pse se keni thirrë Policinë, por e keni lanë lokalin n’këtë gjendje?” – tha i akuzuari Hoxha.
Prokurorja Bina Rugova e përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Emrush Kastrati e kundërshtuan këtë pyetje, sepse sipas tyre ishte pyetje sugjestive dhe orientuese. Mirëpo, Gjykata e lejoi këtë pyetje të bërë nga i akuzuari. Por, përgjigjja e këtij dëshmitari ishte “Nuk mbaj mend asgjë”, pasi i njëjti tha se kishte qenë i pirë.
Tutje, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë për sot Brendon Kurtajn, i cili para se të fillonte dëshminë e tij u bë e ditur se të akuzuarin Roland Susurin e ka djalë të dajës.
Ai tha se atë natë kishte shkuar te lokali “Cobra City” dhe se kishte vazhduar të pijë dhe se kishte qenë shumë i dehur. Tutje, tha se me shoqëri kishin pirë shumë, mirëpo aty ishte bërë një zhurmë dhe ai kishte shkuar pastaj te qoshi i lokalit afër tualetit.
Në pyetjen e prokurores Merita Bina Rugova, se a kishte dëgjuar krisma, dëshmitari Kurtaj tha se “Kishte dëgjuar dy ose tri krisma me armë”. Mirëpo, kur Florent Latifaj, avokati i cili mbron të akuzuarin Dibran Hoxha, e ballafaqoi me deklaratën në Polici, në të cilën kishte thënë që nuk kishte dëgjuar krisma, pas ballafaqimit me këtë deklaratë, ai tha se “E vërteta është që nuk kom dëgju, por kom mendu që ai polici e ka shkru që kom dëgju. Prandaj, thashë që kom dëgju’.
Në pyetjen e avokatit Florent Latifaj, i cili mbron të akuzuarin Dibran Hoxha: “A ka pasë armë në dorë Dibrani?”. “Qysh me pasë kur u kon Policia prezent.” – u përgjigj dëshmitari Brendon Kurtaj.
Edhe për këtë dëshmitar pati pyetje edhe i akuzuari Dibran Hoxha.
“A mos rastësisht të kujtohet kur iu kom drejtu Benit, kur i kom bërtit Benit: ‘Pse s’e keni lajmëruar Policinë, por e keni lanë në këtë gjendje me ardhë lokalin?'” – tha i akuzuari Dibran Hoxha.
“Këtë pjesë e kam dëgjuar, sepse kemi qenë duke dalë nga lokali.” – u përgjigj Kurtaj.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës, lidhur me këtë çështje penale, pritet të mbahet gjatë muajit prill 2025, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Kujtojmë se të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 07.03.2024, nuk kishin pranuar fajësinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Kujtim Krasniqi (kryetar i Trupit Gjykues) dhe Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).
Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina Rugova.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në Prizren.
Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit – sipas Dosjes – kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Kështu, në Dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.
Më pas, Dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V. Cengu., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë, Prokuroria e ngarkon me veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Raportimet e KALLXO – LINK .