Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Çfarë investimesh në rajonin e Ferizajt premton PDK-ja?

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në programin e saj zgjedhor i ka paraparë disa projekte për Rajonin 05- atë të Ferizajt.

Kandidati për deputet i kësaj partie, Naim Ismajli, ka treguar në “Debat Përnime”, më 16.01.2025, se çfarë investimesh pritën të bëhen në këtë rajon me “ardhjen e PDK-së në pushtet”.

Përfundimi i Spitalit rajonal në Ferizaj, sipas tij, do të trajtohet me prioritet, meqenëse konsiderohet se është vonuar procesi i ndërtimit të tij nga ana e qeverisë aktuale.

Kandidiati Ismajli ka njoftuar se në programin e tyre zgjedhor është paraparë edhe ndërtimi i autostradës që nis nga Duhla- e cila do vazhdojë nëpër Shtime dhe Lipjan, do të lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi” e më pas do të shkojë në drejtim të Dheut të Bardhë.

Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kostoja për këtë autostradë nuk dihet sa do të jetë pas PDK ende nuk e ka një plan të fizibilitetit.

Ismajli thotë se kjo do të bëhet me “marrjen e pushtetit nga PDK”.

Projekt tjetër i rëndësishëm, sipas Partisë Demokratike, që planifikohet të realizohet në Rajonin 05 (Ferizaj) është edhe përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore.

“Si projekt kemi edhe rivitalizimin e hekurudhave. Të paktën hekurudhat tona të kenë mundësi të zhvillojnë shpejtësinë 80-100 km në orë”- tha Ismajli.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt