Çfarë është sistemi e-Pasuria dhe çfarë regjistrojnë institucionet publike në të?

Sistemi e-Pasuria është një platformë elektronike ku institucionet publike, qendrore dhe lokale, mund të regjistrojnë pronën e cila është në vlerë më të vogël se 1 mijë euro.

Ekrem Sadiku nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) tha në “Kallxo Përnime” se ky sistem është funksional që 11 vite.

“Menaxhimi e-Pasuria është zhvilluar nga viti 2010 dhe menaxhon me asetet që kanë vlerë deri në 1 mijë euro. Mbi ketë vlerë është sistem tjetër që menaxhohet nga Ministria e Financave që është sistemi i informimit për menaxhimin e financave kapitale”, tha ai.

Gjetjet e Auditorit për vitin 2019 thonë se në pesë institucione qendrore dhe në 18 komuna sistemi e-Pasuria nuk ka funksionuar.

Por, Sadiku thotë se të gjitha gjetjet e ZKA-së janë adresuar dhe tani sistemi është funksional.

“E-Pasuria është sistem i hapur për të gjitha institucionet lokale dhe qendore në vlerën deri në 1 mijë euro. Sistemi mund të ketë defekte teknike, por ne i kemi adresuar të gjitha rekomandimet e Auditorit. Ne jemi në disponim të institucioneve dhe zyrtarëve”, tha ai.

Në anën tjetër, Besnik Osmani nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka treguar se çfarë regjistrohet në këtë sistem.

“E gjithë pasuria kapitale, vlera e cila është më e vogël se 1 mijë euro regjistrohen te e-Pasuria, mund të jetë një lap-top, telefonat e deri te materiali për zyrë, inventari”, tha Osmani.