Çfarë duhet bërë që të rimëkëmbet "Trepça"?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për gjendjen dhe të ardhmen e dikur gjigantit metalurgjik të Kosovës – “Trepça”.

Cilat janë mundësitë që “Trepça” të rimëkëmbet?

Shyqri Kelmendi, profesor dhe ish-anëtar i bordit, thotë se “Trepça” është në fillim të rimëkëmbjes.

Kelmendi ka prezantuar një program të cilin ka kërkuar ta realizojnë Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave.

“Nga Qeveria kam kërkuar që brenda pesë viteve të ardhshme me i investu 95 milionë në miniera, në pika të caktuara të cilat janë të specifikuara dhe pas katër viteve 95 milionë të investuara do të ngritej prodhimi 350 mijë tonë në minierën e Stan Tërgut, në 100 mijë tonë në vit në minierën e Artanës, në 100 mijë tonë në minierën e Cërnacit, pjesës veriore dhe 150 mijë tonë në minierën tjetër”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër, Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë, ka bërë të ditur se para se të investojnë në ndërmarrjen “Trepça” do të vendoset rrugull.

“Para investimit ne tentojmë që të vendoset rregullsia në ndërmarrjen “Trepça”. Kryeministri Kurti ka qenë i pari kryeministër që ka kërku nga ZKA-ja që të bëhet auditimi i ndërmarrjes publike “Trepça” dhe vitin e kaluar kemi pasë takime të vazhdueshme me Zyrën Kombëtare të Auditimit, ashtu që në planin e punës e kanë për vitin 2022 ta auditojnë edhe ndërmarrjen publike “Trepça””, ka thënë Arifaj.

Esat Peci, ish-anëtar i bordit, ka replikuar ndaj zëvendësministrit Arifaj për çështjen e auditimit nga ana e ZKA-së dhe ka thënë se “kryeministri sa më pak që përzihet në “Trepçë”, “Trepça” i ka punët më mirë”.

“Nuk është kryeministri Kurti i pari që ka kërku. Bordi i parë i “Trepçës” ka kërku prej ZKA-së, ka dëshmi me shkrim. E para kryeministri nuk duhet me kërku, sepse ka përfaqësues me ligj”, ka thënë Peci.