Çfarë do të thotë rizgjedhja e Erdoganit për Turqinë dhe Perëndimin?

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të dielën, duke e zgjatur sundimin e tij në një dekadë të tretë.

Me 99% të numërimit të kutive të votimit, Erdogan ka siguruar 52% të votave duke e vënë atë shumë përpara rivalit Kemal Kilicdaroglu 48%, sipas Agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Zgjedhjet në Turqi janë parë si një nga më të rëndësishmet në historinë e fundit të Turqisë, me opozitën që beson se kishte një shans të mirë për ta rrëzuar Erdoganin.

Por çfarë ndikimi do të ketë fitorja e Erdoganit në Turqi dhe Perëndim?

Erdogan mund ta shtrëngojë edhe më tej kontrollin e tij mbi pushtetin.

Tashmë lideri më jetëgjatë në historinë e Republikës Turke, Erdogan e ka konsoliduar pushtetin gjatë kohës së tij në detyrë, duke krijuar një sistem presidencial për veten e tij.

Kritikët thonë se 69-vjeçari e ka zhvendosur Turqinë nga themelet e saj demokratike drejt sundimit autoritar.

Erdogan i ka shtypur protestat antiqeveritare dhe i është shmangur një hetimi për korrupsion në rrethin e tij të ngushtë.

Erdogan ka marrë kontrollin e shumicës së institucioneve të Turqisë dhe i ka lënë mënjanë liberalët dhe kritikët. Në Raportin e saj Botëror 2022, Human Rights ëatch thotë se partia AK e Erdoganit (AKP) e ka rikthyer rekordin e Turqisë për të drejtat e njeriut me dekada.

Ilke Toygür, profesoreshë e Gjeopolitikës Evropiane në Universitetin Carlos III të Madridit thotë se fitorja mund ta bëjë Erdoganin ta shtrëngojë pushtetin në Turqi edhe më shumë.

“Unë madje do të prisja qëndrime më të frikshme kur bëhet fjalë për demokracinë dhe kur bëhet fjalë për politikën e jashtme,” thotë ajo për Euroneës.

Ndikimi islamik mund të rritet

Erdogan është i popullarizuar në mesin e votuesve konservatorë dhe fetarë.

Ai i ka mbrojtur të drejtat e muslimanëve konservatorë pas dekadave të një regjimi laik të vendosur, duke i lejuar gratë të mbajnë shaminë në ndërtesa publike, siç janë universitetet dhe ndërtesat e shërbimit civil, aty ku më herët ishin të ndaluara.

Erdogan mund ta ndjekë një politikë më radikale në periudhën e ardhshme pasi e ka zgjeruar aleancën e tij me grupet islamike, si Hüda Par dhe Yeniden Refah përpara zgjedhjeve.

Qeveria e tij mund të vihet nën presionin e këtyre partive për të ndjekur më shumë politika islamiste.

Kriza e kostos së jetesës

Zgjedhjet në Turqi janë zhvilluar mes një krize të dëmshme ekonomike, të përkeqësuar nga tërmetet shkatërruese në muajin shkurt të këtij viti.

Ekonomistët thonë se politika tradicionale e Erdoganit për normat e ulëta të interesit, pavarësisht rritjes së çmimeve, e çoi inflacionin në 85% vitin e kaluar, me lirën turke duke rënë në një të dhjetën e vlerës së saj kundrejt dollarit gjatë dekadës së fundit.

Analistët parashikojnë se prioriteti i parë i Erdoganit do të jetë rregullimi i ekonomisë, por nuk priten ndryshime të mëdha në modelin ekonomik përpara zgjedhjeve lokale në vitin 2024.

“Ka shumë probleme ekonomike në Turqi. Pra, kjo është pika më e dobët e regjimit të Erdoganit,” thotë ekonomisti Arda Tunca për Euroneës.

Javën e kaluar, u raportua se ndasitë po rriteshin midis AKP-së për politikat e ardhshme ekonomike, me disa që kërkonin një alternativë ndaj programit të diskutueshëm të Erdoganit.

Pas tërmetit shkatërrues në shkurt, kundërshtarët menduan se votuesit do ta dënonin atë për reagimin e ngadaltë fillimisht të shtetit.

Mirëpo në raundin e parë të votimit më 14 maj, i cili përfshinte zgjedhjet parlamentare, AKP doli e para në 10 nga 11 rajonet e goditura nga tërmetet, duke e ndihmuar Erdoganin ta sigurojë një shumicë parlamentare së bashku me aleatët e saj.

Edhe pse Erdogan e ka përdorur nacionalizmin për ta ruajtur popullaritetin e tij, krizat ekonomike nuk ka gjasa të zgjidhen shpejt.

Mbi çështjet e jashtme

Humbja e kandidatit opozitar Kılıçdaroğlu, i cili premtoi ta vendosë Turqëinë në binarë më demokratikë dhe bashkëpunues, ka të ngjarë të ketë jetë mirëpritur në Moskë.

Megjithatë, kjo fitore mund të mos jetë mirëpritur në kryeqytetet perëndimore pasi Turqia ka marrë një qëndrim më konfrontues dhe të pavarur në çështjet e jashtme.

Nën Erdoganin, Turqia e ka përkulur fuqinë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke krijuar lidhje më të ngushta me Rusinë. Ndërkohë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara bëhen gjithnjë e më të tensionuara.

Erdogan ka kryer një “akt balancues” diplomatik që kur Rusia pushtoi ushtarakisht Ukrainën, duke i kundërshtuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë dërgoi drone në Kiev.

Sipas ekspertëve, Erdogan nuk dëshiron të shkëputet plotësisht nga Perëndimi, ai thjesht dëshiron t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së tij.

Ai ndoshta do të vazhdojë ta ketë një marrëdhënie kontestuese dhe grindavece me Perëndimin.

“Turqia po shkëputet nga Perëndimi, edhe pse shpirtërisht është anëtare e NATO-s, Turqia nuk është më pjesë e NATO-s”, thotë ekonomisti Arda Tunca./Euronews