Çfarë do të thotë fitorja e Erdoganit për Turqinë dhe botën

Epoka e Erdoganit vazhdon…

Kjo u sigurua të dielën pasi lideri shumëvjeçar i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan doli fitues në balotazhin presidencial kundër kundërshtarit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu.

Fakti që Erdogan arriti t’i mbijetojë provës së vetme më të madhe për udhëheqjen e tij, është e jashtëzakonshme duke pasur parasysh gjendjen e ekonomisë së Turqisë dhe zemërimin e vazhdueshëm të publikut mbi reagimin e qeverisë ndaj tërmeteve të fuqishme që ndodhën në muajin shkurt duke lënë të paktën 50,000 njerëz të vdekur. Çfarë do të thotë fitorja e Erdoganit për të ardhmen e Turqisë, si dhe për botën më gjerë, është pyetja tani që sillet në mendjen e shumë njerëzve.

Për Turqinë, mandati i tretë dhe i fundit i Erdoganit nënkupton “një vazhdimësi të së sotmes”, thotë Galip Dalay, bashkëpunëtor në institutin Chatham House me qendër në Londër. Nën Erdoganin, i cili erdhi për herë të parë në pushtet si kryeministër i Turqisë në vitin 2003 (një rol në të cilin ai shërbeu për 11 vjet përpara se të bëhej President në vititn 2014), Turqia është rikthyer në autoritarizëm. Erdogan e ka konsoliduar pushtetin përmes ndryshimeve kushtetuese, i ka gërryer institucionet demokratike të vendit, duke përfshirë gjyqësorin dhe median, dhe ka burgosur kundërshtarë dhe kritikë, shumë prej tyre gazetarë. Përpjekjet e tij i kanë dhënë Turqisë emërtimin si një nga 10 vendet më të mira autokratike në botë, sipas Institutit V-Dem të Suedisë. Në vitin 2018, Freedom House uli statusin e Turqisë nga “pjesërisht i lirë” në “jo i lirë”.

Me pesë vjet të tjera në qeverisje, nuk ka gjasa që Erdogan të zgjedhë të ndryshojë qëndrim në axhendën e tij të brendshme. Nëse ka ndonjë gjë, ai ka të ngjarë të shkojë edhe më tej. “Kur autokratët përballen me një kontekst të paqëndrueshëm të brendshëm, të njëjtit e dyfishojnë represionin”, thotë Gonul Tol, autori i librit  “Erdoğan war: A Strongman’s Struggle at Home and in Syria” (“Lufta e Erdoğan: Lufta e një njeriu të fortë në shtëpi dhe në Siri”). Ndërkohë që Erdogan mund t’i përkulet në mënyrë të besueshme presionit për t’u kthyer në politikat ekonomike më tradicionale në mënyrë që të rivendoset stabiliteti financiar në Turqi (një veprim që ai dukej se paralajmëroi duke përfshirë ish carin e tij ekonomik, Mehmet Shimşek, në një ngjarje fushate), Tol thotë se nuk ka gjasa që Erdogan të dorëzohet kur bëhet fjalë për rivendosjen e besueshmërisë demokratike të vendit.

“Kemi arritur në një pikë [ku] Erdogan i ka minuar të drejtat dhe institucionet në një masë të tillë që ne nuk mund ta quajmë Turqinë edhe më tutje një demokraci”, thotë ajo, duke vënë në dukje verdiktin e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve se zgjedhjet turke, ndonëse në dukje të lira dhe konkurruese, janë megjithatë jo të drejta. “Po vijmë në një pikë ku Turqia do të kthehet në një vend ku zgjedhjet mund të mos kenë rëndësi”.

Pasojat e fitores së Erdoganit nuk do të kufizohen vetëm në Turqi. Do të ketë pasoja të mëdha ndërkombëtare – jo më pak për NATO-n. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të aleancës, Turqia ka bërë gjithçka për të krijuar lidhje të ngushta me Rusinë. Në vitin 2017, Ankaraja ra dakord në mënyrë të diskutueshme për ta blerë një sistem të mbrojtjes raketore S-400 nga Moska. Ndërkohë që shumica e vendeve të tjera e kanë sanksionuar Rusinë si pasojë e pushtimit të saj ushtarak në shkallë të plotë të Ukrainës, Turqia ka vazhduar të bëjë biznes me Moskën. Në një intervistë të fundit me CNN, Erdogan i deklaroi “marrëdhëniet e tij të veçanta” me presidentin rus Vladimir Putin dhe e riafirmoi kundërshtimin e vetëm të Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO. (Ankaraja zyrtare më parë e bllokoi Finlandën dhe Suedinë nga bashkimi me aleancën ushtarake, duke i përmendur shqetësimet për mbështetjen e tyre për militantët kurdë që Turqia dhe SHBA i konsiderojnë organizata terroriste; ndërkohë që përfundimisht e hoqi kundërshtimin e saj ndaj Finlandës, e cila që atëherë është bërë anëtari i 31-të i NATO-s, vetoja e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë ende qëndron).

Gjatë pesë viteve të ardhshme, “do të shihni forcimin e marrëdhënieve [Erdoğan-Putin] më tej”, thotë Tol.

“Ai e ka përdorur pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO si një levë për të nxjerrë koncesione nga bota perëndimore. Dhe i ka këto leva ka në shumë mënyra”.

Megjithatë, shumica e analistëve presin që Erdogan përfundimisht do të pajtohet me anëtarësimin suedez – nëse jo përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius në korrik, atëherë ndoshta deri në fund të vitit. “Erdoğan e çmon praninë e Turqisë në NATO, sepse ai mendon se kjo i jep atij një levë të mëtejshme në çështjet ndërkombëtare”, thotë Dalay. Në të vërtetë, Erdogani ka kërkuar ta portretizojë Turqinë si një ndërmjetës të vlefshëm diplomatik midis Rusisë dhe Perëndimit dhe ka nxitur organizimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, ashtu siç ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje kryesore të eksportit të grurit midis vendeve ndërluftuese vitin e kaluar.

Fitorja e Erdoganit mund të ketë gjithashtu pasoja vendimtare për rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë në Turqi. Ndërkohë që Erdogan nuk shkoi aq larg sa Kılıçdaroğlu duke u zotuar se do t’i dëbonte të gjithë refugjatët nga Turqia – një veprim ky i fundit pas raundit të parë të votimit, në një përpjekje të dukshme për ta larguar mbështetjen e rivalit të tij midis nacionalistëve – Erdogan vuri në dukje se qeveria e tij planifikon të ndërtojë qindra mijëra shtëpi në Sirinë veriore për ta lehtësuar kthimin e refugjatëve sirianë më nënyrë vullnetare.

Se sa shumë do të varet nga mënyra se si Erdogan zgjedh ta përcaktojë mandatin e tij të fundit – dhe, si rrjedhojë, trashëgimia e tij – shumë do të varen edhe nga mënyra se si bota zgjedh t’i përgjigjet fitores së tij, veçanërisht Perëndimi. Në betejën globale midis demokracisë dhe autoritarizmit, Turqia konsiderohet si e vendosur brenda kampit të kësaj të fundit, krahas vendeve të tjera të që po rrëshqasin në anën e kundërt të demokracisë, Hungarisë, Indisë dhe Brazilit.

“A është Perëndimi i gatshëm të përballet me një Turqi më autoritare?” pyet Gonul. Apo ende do ta ruajnë këtë marrëdhënie transaksionale dhe do të thonë: “Për sa kohë që Erdogani mban refugjatët sirianë në Turqi, mund të punojmë me të, mund ta tolerojmë atë”./Time.com

Përgatiti: Nuhi Shala