Çfarë do të ndodh me fëmijët e rikthyer nga Siria nëse nënat e tyre përfundojnë në burg? VIDEO

Në emisionin e së premtes të “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi për të rikthyerit dhe sfidat e tyre në risocializim.

Pamje ekskluzive të aktiviteteve të fëmijëve të cilat u mbajtën gjatë verës, janë transmetuar në emisionin e sotëm.

Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministri të Punëve të Brendshme, tregoi se çfarë do të ndodhte me fëmijët e rikthyer në qoftëse përfundon procesi gjyqësor ndaj nënave të tyre dhe të njëjtat përfundojnë në burg.

“E kemi menduar edhe këtë gjë. Zgjidhjet këtu janë ligjore në një situatë të tillë. Nëse fëmija mbetet pa përkujdesje i kemi punëtorët social që janë persona kyç në këtë proces dhe varësisht nga ligjet do të vazhdohet tutje edhe me ta, në raste specifike do të ketë ndonjë i afërm që dëshiron të kujdeset për të, në rast më të keq edhe qendrat e caktuara për përkujdesjen e fëmijëve”, tha Hoti.

Ai tregoi se sa kishin pasur sukses aktivitetet e verës të cilët u bënë për fëmijët e rikthyer nga vatrat e luftës të cilat sipas programit do të mund të u ndihmonin në riintegrim.

“Këto aktivitete kanë qenë të suksesshme ashtu sic janë planifikuar, kanë dhënë rezultatin e pritur, i cili është vetëm një rezultat i suksesit i pjesshëm sepse ka qenë një plan me disa aktivitete të ndryshme”, tha Hoti.

Ai tregoi se qëllimi kryesor ishte risocializimi i fëmijëve dhe ambientimi në Kosovë.

“Në bazë të krejt asaj çka dimë, një rol të rëndësishëm në këtë proces e ka e kaluara e tyre, ata kanë jetuar në zona të luftës në kushte jashtëzakonisht të këqija në kohët e fundit, trauma, plagë, kushte të këqija të jetesës, humbja e familjarëve dhe kjo do të jetë elementi kryesor që mund të paraqes problem në riintegrim”, shtoi Hoti.

Hoti tha edhe se ende nuk ka ndonjë projekt kulturor ku  janë të përfshirë edhe fëmijët e rikthyer.

Ai shtoi se nuk kanë pasur asnjë problem që është lajmëruar që nga fillimi i vitit shkollorë, pjesë e të cilit u bënë edhe fëmijët e rikthyer.

Në prill të këtij viti, Kosova riktheu 110 persona nga luftërat e huaja. 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë ishin rikthyer ndërsa institucione të ndryshme u angazhuan për trajtimin dhe risocializimin e tyre.

Në shtator pritej që fëmijët e rikthyer pas disa aktiviteteve parashkollore të fillonin procesin e mësimit.

Nga 74 fëmijët të cilët u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.