Ryan Wesley Routh. Foto: Reuters
Çfarë dihet për Ryan Routh, të dyshuarin në tentim-vrasjen ndaj Trumpit?
Një burrë i armatosur u mundua ta vriste kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën mbrëma (15.09.2024) në fushën e tij të golfit në Palm Beach në Floridë, kanë bërë të ditur autoritetet, shkruan Reuters.
CNN Fox News dhe The New York Times e kanë identifikuar të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havai, duke iu referuar burimeve brenda agjencive të zbatimit të rendit dhe ligjit. FBI-ja ka refuzuar që të komentojë dhe Reutersi nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë në mënyrë të pavarur identitetin e tij.
Por ja çfarë është raportuar deri tani për të dyshuarin:
Tyta e armës në shkurre
Shërbimi Sekret ka bërë të ditur se agjentët e tij po e shoqëronin Trumpin në fushën e golfit kur njëri prej atyre që po merrej monitorimin e vrimave rreth e qark, spikati një tytë armësh në shkurret afër rrethojës së pronës.
Agjentë të shumtë u angazhuan për ta kapur të dyshuarin dhe shkrepën së paku katër seri kundër tij. I armatosuri e lëshoi pastaj armën AK-47, dy karikatorë, një kamerë GoPro dhe pajisje të tjerë dhe ia mbathi me një makinë të zezë Nissan.
Sherifi i komunës së Palm Beachit, Ric Bradshaw, ka thënë se një dëshmitar ia doli ta siguronte një fotografi të makinës së të dyshuarit dhe numrat e targave, duke ua treguar pastaj autoriteteve.
Menjëherë, zëvendësit e sherifit në komunën fqinje Martin e ndalën të dyshuarin në rrugën ndërshtetërore 95 dhe e çuan në mbajtje.
Postimet për Ukrainën, demokracinë
Reutersi ka gjetur profile në Facebook, X dhe LindkedIn në emër të Ryan Routhit. Qasja publike në profilet në Facebook dhe X është pamundësuar disa orë pas të shtënave.
Tri llogaritë virtuale me emrin e Routhit sugjerojnë se ai ishte një mbështetës i fuqishëm i Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.
Më 21 prill, Routh i ishte drejtuar Elon Muskut me një mesazh në X: “Do të doja të blija një reketë nga ti. Do të doja ta mbushja me një kokë luftarake për bunkerin rezidencë të Putinit në Detin e Zi për ta hequr qafe. A mund të ma tregoni çmimin ju lutem”.
The New York Times ka raportuar se e kishte intervistuar Routhin më 2023 për një shkrim për amerikanët që po paraqiteshin vullnetarë për të ndihmuar përpjekjen luftarake të Ukrainës. Routhi i kishte thënë Timesit se kishte udhëtuar në Ukrainë dhe se atje i kishte kaluar disa muaj më 2022 dhe se po mundohej të rekrutonte ushtarë afganë të cilët ishin arratisur prej talebanëve për të luftuar në Ukrainë.
“Shumë konflikte të tjera janë të hirta, por ky konflikt përfundimisht është bardh e zi. Kjo është luftë e të mirës kundrejt të ligës”, kishte deklaruar Routh në një intervistë për “Newsweek Romania” në qershor 2022. Në komentet e tij sugjeronte se atëherë ndodhej në Kiev.
Routhi kishte thënë se fillimisht kishte planifikuar të shkonte në Ukrainë që të luftonte, por nuk ishte pranuar për shkak të moshës dhe mungesës së përvojës ushtarake.
Legjioni Ndërkombëtar, ku shërbejnë shumë luftëtarë të huaj në Ukrainë, ka thënë se nuk kishte lidhje me Routhin.
Në X më 2020, Routhi shprehte mbështetjen për kandidatin presidencial demokrat, Bernie Sander, dhe e kishte ngacmuar Bidenin si “Joe i përgjumur”.
Më herët gjatë vitit, Routh kishte bërë “tag” Bidenin në një postim në X: @POTUS Fushata juaj duhet të quhet diçka si KADAF. Duke iu referuar i shkurtesë për ta ruajtur demokracinë dhe lirinë e SHBA-së. Për të Trumpit mendonte se duhej të quhej MASA, një shkurtesë për t’i bërë amerikanë përsëri zotër të skllevërve. “EMOKRACIA ëhstë në fletëvotim dhe ne nuk mund të humbim”.
“Baba i dashur dhe i kujdesshëm”
I biri i burrit të armatosur të arrestuar, Adami, është kontaktuar nga Reuters në një dyqan ku punon në Havai. Ai ka thënë se nuk kishte dëgjuar ende lajmin për përpjekjen e fundit për vrasjen e Trumpit dhe se “nuk kishte informacione”, duke shtuar se kjo nuk ishte diçka që besonte se do ta bënte babai i tij. Më vonë, reporteri e telefonoi përsëri dhe një koleg i tij tha se Adami u desh të shkonte në shtëpi për shkak të një emergjence.
Një tjetër djalë i Routhit, Oran, i ka thënë televizionit CNN në një deklaratë se “nuk kam ndonjë koment tjetër përtej profilit të karakterit të tij si baba i dashur dhe i kujdesshëm… Nuk e di çfarë ka ndodhur në Floridë dhe shpresoj se gjërat porsa kanë dalë prej kontrollit”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com