Çfarë deklaruan për fajësinë Llune, Pantiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin në zyret e KKZ-së?

Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, nuk e kanë pranuar fajësinë me të filluar shqyrtimi kryesor në gjykimin lidhur me aktakuzën për sulmin me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën Veriore në dhjetor të vitit 2022.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, lidhur me akuzat e prokurorisë së në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të sulmit terrorist.

Tutje seanca ka vazhduar me dhënien e fjalëve hyrëse dhe prokurori special Bekim Kodraliu kërkoi që katër të akuzuarit të dënohen sipas ligjeve në fuqi duke elaboruar në fjalën hyrëse se si kishte ndodhur rasti.

Sipas Kodraliut, në ditën kur kishte ndodhur sulmi, ‘Llune’ pas njoftimit nga i pandehurit Aleksandar Vllajiq kishte dalë nga restaurantin ‘Grey’  dhe së bashku me dy persona të tjerë ishin drejtuar për te zyrat e KKZ-së, dhe disa momente para shpërhtimit ‘Llune’ shihet teksa merr disa mjete shpërthyese nga një autoambulancë e cila kishte të ndezura dritat alarmuese.

Fjalën hyrëse të prokurorit special e kanë kundërshtuar avokatët e të akuzuarve.

Miodrag Brkljaq, që mbron të akuzuarin ‘Llune’, tha se aktkauza me provat e prezentuara nuk mund të arsyetoj standardin e dyshimitë të bazuar mirë.

“E kundërshtoj në tërësi bazueshmërinë e kësaj aktakuze, në shikim të gjitha fakteve kryesore dhe rrethanave të cilat janë të cekura në të, sepse konsideroj se këto fakte dhe rrethana nuk janë të mbuluara me këso lloj prova të cilat do të mund të arsyetonin standardin e dyshimit të bazuar mirë”- tha Brkljaq.

Avokati, i të akuzuarit Aleksandar Vllajiq, Millosh Deleviq tha se shumica e provave që i përmban aktakuza nuk janë relevante në këtë procedurë penale.

“Shumica e këtyre provave nuk janë relevante në këtë procedurë”- tha Deleviq

Ndërsa për Dejan Pantiq, avokati Ljubomir Pantoviq, tha se sipas kësaj aktakuze e cila për të mbrojturin e tij nuk është e bazuar në prova, do të vërtetohet pafajësia e Pantiqit.

Kurse Dejan Vasiq për të akuzuarin Miomir Vakiq, tha se i mbrojturi i tij po ngarkohet për terrorizëm vetëm për shkak të disa mesazheve që flasin për dardha, molla, kaça dhe për çaj.

Vasiq morri mundin t`i lexoj para gjykatës këto mesazhe që ishin shkëmbyer mes të akuzuarve në këtë rast.

“Qetë por tensionuar” në të cilën është përgjigjur Dejan Pantiq “Aty dridhen dardhat”, ndërsa Vakiq atij tri ditë më vonë “Gjuaje ndonjë mollë” e pastaj Dejan Pantiq i ka shkuar Vakiqit tani “Bashkëshortja ime do të ju dërgoj kafe” ndërsa Vakiq i kishte thënë Pantiqit “I ka thënë ata pinë çaj të kaçave”- citoi mesazhet telefonike të akuzuarve që janë nxjerrë si prove nga prokuroria.

Mbi bazën e kësaj, Vasiq thoshte se klineti i tij po akuzohet për terrorizëm.

Ndërsa avokati i dytë i ‘Llune’, Predrag Milijkoviq kërkoi që ndaj ‘Llunes’ të ndryshohet masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumë prej 70 mijë eurosh.

Lidhur me kërkesën e avokatëve të ‘Llunes’, nga gjyqtari Valon Kurtaj tha se do të vendoset pas shikimit dhe analizimit të shkresave dhe do të vendoset me aktvendim të veçantë.

Kallxo.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.

“Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i brigadës së veriut… nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka brigadë të veriut”- ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.

“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, sipas Dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok bomba. Shok bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe Policëve.

Granatat të cilat, sipas Dosjes, i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.

Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.

Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, qojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviq dy javë para sulmit.

Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.

Më tutje Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.

Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në trazirat e majit të vitit që shkoi në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore tek policët si dhe vetë i akuzuari.

I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.

Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.

Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.

Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.

Po ashtu edhe i akuzuari Aleksandar Vllaiq kishte mohuar akuzat. Ai po ashtu ka mohuar edhe të jetë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.