
Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij në Hagë | Foto: 22.10.2024
Çfarë deklaroi dëshmitari Fadil Geci në gjykimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve?
Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në seancën e së hënës, më 21.10.2024, ka dëshmuar Fadil Geci.
Prokurori James Pace në fillim të seancës bëri të ditur se dëshmia e dëshmitarit Fadil Geci përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të 1998-ës që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pas kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerë.
“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të 1998-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me ndërveprimet, bashkëbisedimet apo njohuritë që kanë pasur anëtarët e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selimin dhe Samedin Xhezairin lidhur me këto ngjarje” – tha prokurori James Pace.
“Kush ka bërë përpjekje që të heqte Këshillin e Emergjencës nga shtëpia jote, dëshmitar”- ishte një nga pyetjet e cila ju drejtua këtij dëshmitari gjatë seancës nga prokurori James Pace.
“Janë njerëzit që kanë ardhur nga LPK-ja e më vonë të konvertuar e që janë kreu i UÇK-së e që pa pasur asnjë anëtar, veç kreu” – tha dëshmitari Fadil Geci.
Tutje ai gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se pas familjes Jashari, tentuan që ta likuidojnë familjen e tij, duke përfshirë edhe vëllain e tij.
“Veç bisedë që është ba, veç bisedë që është luhatë ajo dihet se kah ka ardhur ajo frymë. Këta e pamë ma vonë me komunikatën 59, pas familjes Jashari, tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp. Mendoj që ata njerëz që kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë qergash, e jo shqiptarë”, tha Geci gjatë dëshmisë së tij.
Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij po ashtu rrëfeu se Hashim Thaçi kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe në një moment ia kishte puthur dorën, sipas tij ai i cili e bën këtë gjest është njeri i rrezikshëm për shqiptarinë.
“Kur jam hy unë, ish kanë tu ju thanë që nuk jam kanë në parti. Unë i thash ti je kanë një javë ditë kryetar i Forumit Rinor të LDK-së në Skenderaj. Tha kam rrejt, i thash ti ke rrejt e je rrenc edhe atëherë edhe sot, e çka flet ti rren edhe shpif. Më ka marrë për dore edhe më ka qit përjashta pas asaj fjale dhe unë nuk e kuptojsha, s’mujsha me e kuptu. E kam thanë atje e ma anej s’po e çoj”- tha dëshmitari Geci.
“Aty e kam pa se një person që e bën atë gjest është i rrezikshëm edhe për shqiptari edhe për shokë të vet që kanë me e pa se kush është, se unë atëherë nuk e kam kuptu”, shtoi tutje dëshmitari Geci.
Po ashtu gjatë seancës së sotme dëshmitarit Fadil Gecit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit, ku kishte thënë se ai që e kishte vrarë Abedin Rexhën ishte Gani Geci.
“Vrasja e Abedinit është përfshirë në një komunikatë, në komunikatën 59-të, ku thuhet që ai është vrarë nga Geci. Pse është bërë kjo vrasje, pra ndërkohë që Abedini mendohet se ishte një person shumë i rëndësishëm i UÇK-së në atë kohë”, tha prokurori James Pace gjatë leximit të përgjigjes së Rexhep Selimit në një inervistë.
Gjatë leximit të përgjigjes së Selimit, prokurori Pace tha se Abedin Rexhën e kishte vrarë Gani Geci.
“Abedin Rexhën e vrau Gani Geci. Duhet të bëhet analiza se kush është vrarë. Është vrarë një komandant brigade, një ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë, themeluesi i Brigadës 112 dhe një person me kompetencë, e një person që njihej nga popullata. Pse duhet ta fshehim këtë? Ne duhet ta themi të vërtetën”, tha prokurori tutje teksa lexoi përgjigjen e Selimit.
Mirëpo dëshmitari Fadil Geci tha se një gjë e tillë është gënjeshtër.
“Ka gabuar këtu që e ka shkruar, se e din ky që nuk është ashtu e është rrenë. Rrenë është. Komplet është rrenë. I ka vy, është përfaqësuesi i LPK-së,i një drejtimit të kundërt, e ka shkru për palën tjetër se është kështu ose ashtu. Kjo nuk është e vërtetë, është krejt rrenë, krejt është rrenë”, – tha Geci.
Dëshmitari Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij tha se Rexhep Selimi ishte ai që ka treguar se komunikata 59-të ishte shkruar “nga një dashakeqës”, që sipas tij ishte Hashim Thaçi.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.