Çfarë bëjnë të moshuarit kosovarë me 100 euro pension?

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka thënë se shuma e pensionit prej 100 eurove nuk është e mjaftueshme për të moshuarit.

Sipas tij, gjysma e një pensioni shpenzohet për barna.

“Jo, nuk mund ta përballoj muajin një pensionist me 100 euro. Për shkak të moshën, 95 për qind e pensionistëve duhet me konsumu barna të llojeve të ndryshme e të sëmundjeve të ndryshme, që kanë një kosto të madhe. Unë personalisht harxhoj 30-40 euro në muaj për barna” – thotë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Pensionistët që marrin nga 100 euro në muaj, gjysma e pensionit u shkon për barna” –  deklaron Gashi.

Ai ka bërë thirrje që të përkrahen pensionistët e të rritet shuma e pensionit.

Gashi thotë se protesta nuk është zgjidhje.

“Në familjet tona ende është ajo lidhja emocionale dhe pensionistët ndihmohen nga vetë familjet, dikush barnat, dikush rrymën, dikush drutë. Por, kjo nuk është zgjidhje. Nuk është dinjitoze, për këtë duhet të kujdeset Qeveria” – tha ai.

“Pensionistët nuk e kanë moshën të shtyhen, të protestojnë por duhet shoqëria dhe shteti të kujdeset për ta. Ata duhet të marrin atë çfarë u takon” – deklaron Nijazi Gashi në “Kallxo Përnime”.

Në Kosovë numërohen rreth 200 mijë pensionistë ndërsa 150 mijë prej tyre llogaritet se marrin pension vetëm 100 euro.