Çështja e ushqimit në FSK, ministri Maqedonci konfirmon takimin me presidenten Osmani

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar për Kallxo.com se është takuar me presidenten, Vjosa Osmani, me ç’rast e ka informuar atë për çështjen e ushqimit në FSK, temë kjo që ka nxitur debate në Kuvend dhe në opinion publik tash e disa javë.

Ky takim i cili nuk është bërë publik as nga Presidenca e as nga Ministria e Mbrojtjes, siç bën të ditur Maqedonci, ka ndodhur më 14.10.2024. Presidentja e cila në rrethana të jashtëzakonshme është Komandante Supreme e FSK-së, e kishte ftuar në takim ministrin Maqedonci dhe Komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, dhe prej tyre kishte kërkuar raport të detajuar në lidhje me situatën e krijuar në FSK.

“Po jam takuar me Presidenten me datën 14 tetor. E kam njoftuar për hapat që janë marrë nga unë dhe Komandanti i FSK-së, me qëllim zhvillimin e konceptit të ushqimit. Gjithashtu e njoftova edhe me faktin që në asnjë ditë dhe në asnjë rast pjesëtarët e FSK-së nuk kanë mbetur pa shërbime të ushqimit” – tha Maqedonci për KALLXO.com.

Ministri i Mbrojtjes shpjegoi se presidenten e kanë njoftuar edhe rreth arsyeve të anulimit të tenderit për ushqim dhe për të gjitha problematikat tjera ligjore rreth atij tenderi.

Ai shtoi se kanë diskutuar edhe për tema të tjera që ndërlidhen me zhvillimin e FSK-së.

Takimin me ministrin Maqedonci e kishte konfirmuar edhe presidentja Osmani më 16.10.2024, por pa dhënë detaje.

“Po, jemi takuar, kemi bisedu. Vazhdimisht jemi në kontakt” – kishte thënë ajo para gazetarëve, pas konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje lidhur me këtë takim më 14.10.2024 edhe në adresë të FSK-së dhe Zyrës së Presidencës. Kjo e fundit nuk ka ofruar përgjigje, ndërsa nga FSK kanë thënë që t’i drejtohemi Ministrisë së Mbrojtjes.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Opozita ka akuzuar Qeverinë që ushtarët po ushqehen me cilësi të dobët dhe sasi të vogël, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për pranimin e stafit profesional të kuzhinierëve. Kjo metodë, sipas këtij institucioni do t’u servojë ushqim cilësor ushtarëve, pa kosto të madhe financiare.

Disa media kanë raportuar se Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku ndër të tjera ka shkruar se “do të ndërpriteshin aktivitetet e FSK-së, në rast se nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje rreth këtij problemi”.

Lidhur me këtë letër, Ministria ka thënë se ajo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

KALLXO.com në shtator ka publikuar hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes i dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

Më 14.10.2024, me kërkesë të opozitës në Kuvend është mbajtur seancë e jashtëzakonshme pikërisht për problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në mungesë të kuorumit, pasi që pozita nuk mori pjesë në këtë seancë, nuk është votuar rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Rezoluta parashihte që Kuvendi të obligojë Qeverinë e Ministrinë e Mbrojtjes që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme për FSK-në.

Me Rezolutë kërkohej që zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes të japin dorëheqje: Ministri i FSK-së, zv.ministri, sekretari i përgjithshëm dhe gjithë hierarkia përgjegjëse në administratën e ministrisë.

Krahas kësaj kërkohej nga Prokuroria e Shtetit që të hap procedurë ligjore për të hetuar rastin duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështjen që kanë të bëjnë me interesa korruptive.