Çështja e targave, Sveçla thotë se policia ka plane se si të veprojë

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës për media ku u fol për sulmet me granatë dore dhe kallashnikov ndaj policëve të Kosovës në veri, ka thënë se grupi i ekspertë të Kosovës do të shkoj në Bruksel për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave.

Madje ai ka deklaruar se për çfarëdo situate, Policia e Kosovës i ka planet se si të veprojë.

“Unë jam optimist që marrëveshja do të arrihet. Për çdo situatë Policia e Kosovës ka planet e saj se si të veproj. Është angazhim i të gjithë policisë që sovranitetin dhe integritetin e shtetit mos ta sjellë në dyshim”, ka thënë ministri Sveçla.

Ai së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë deklaruar në konferencë për media se policët e Kosovës janë sulmuar katër herë brenda tri ditëve të fundit.

Ministri Sveçla ka thënë se sulmi i ditës së sotme është bërë me granatë dore dhe kallashnikov rreth orës 7:40, ndaj disa policëve të Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.