Komisioni Europian - Bruksel

Bruksel, Foto: Denis Sllovinja

Çështja e targave, hiqet nga agjenda propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, ka hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja nga Presidenca çeke e BE-së, Eva Hrncirova.

Ajo ka thënë se Presidenca çeke, u bën thirrje për de-përshkallëkallëzim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë lidhur me vendimin për çështjen e targave.

“Po, është hequr (nga agjenda). Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshme të Këshillit. Bëjmë thirrje për një de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë në lidhje me targat e veturave”-thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënëses Hrncirova për KALLXO.com.

Të martën, Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka thënë se janë afër një kompromisi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zyrtarja për media e presidencës çeke, Emma O’Driscoll pati thënë se data me të cilën po punojnë aktualisht është 1 janar i vitit 2024, pa dhënë detaje të tjera.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, në veri të Kosovës qytetarët atje janë larguar nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjykatat, prokuroritë, administrata, si dhe komuna.

Lidhur më këtë çështje, të hënën në Bruksel u mbajtën disa takime mes palëve, përfshirë një takim trepalësh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ky takim përfundoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Me 22 nëntor, pak pas mesnatës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranon kërkesën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jefrey M.  Hovenier për shtyrje për 48 orë të vendimit për shqiptim të gjobave.