Çështja e arkivave të UÇK-së, Robert Muharremi distancohet nga qëndrimi i delegacionit

Robert Muharremi, i angazhuar në grupin për dialog në cilësinë e ekspertit ka reaguar lidhur me deklaratat e zv/kryeministrit Besnik Bislimi lidhur me ‘Arkivat e UÇK-së”.

Muharremi ka shkruar se distancohet nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK në diskursin për personat e zhdukur.

“Si pjesëtar i grupit të ekspertëve në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, personalisht dhe profesionalisht distancohem nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK në diskursin për personat e zhdukur”, ka shkruar në reagimin e tij Muharremi.

Ai tutje ka shkruar se: “Deklaratat e fundit kanë dëmtuar përpjekjet e delegacionit të mëparshëm që UÇK të mos përfshihet në asnjë mënyrë në diskursin rreth personave të zhdukur. Hapja e arkivave të UÇK ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për të ndryshuar narrativën e “fajtorëve” për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK me Serbinë”, ka shkruar Muharremi.

“Nuk është me rëndësi se si dhe në çfarë konteksti është bërë deklarata, por efekti i saj, i cili tani ka përfshirë edhe UÇK si pjesë të problemit. Kjo është e dëmshme dhe me pasoja për Kosovën, marrë parasysh edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK, dhe për këtë arsye distancohem nga ky proces”, ka shkruar Muharremi në reagimin e tij.

Ndryshe Muharremi është pjesë e grupit të ekspertëve të  angazhuar që do t’i ndihmojnë Qeverisë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Gjatë muajit maj 2021, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum me Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë dhe Grupin për Ballkan për t’i dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës në procesin e integrimeve evropiane e dialogut.

Grupi për Ballkanin përmes një komunikate për media ka treguar edhe emrat e ekspertëve që do t’i ndihmojnë Qeverisë në këto procese.

“Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut”, thuhet në njoftimin e Grupit për Ballkan.

Dialogu i ri me emra të vjetër